Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

BE-ja e dënon dhunën e përdorur në Kuvend

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, e ka dënuar dhunën që ka ndodhur të enjten në Kuvendin e Kosovës midis ministrave dhe deputetëve të opozitës.

Ai ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur të enjten është zhgënjyese, teksa ka shtuar se Kuvendi nuk është vend ku mund të ushtrohet dhunë.

“Skena zhgënjyese dhune janë parë sot në Kuvend. Kuvendi nuk është vend për sulme fizike, por vend për të diskutuar propozimet dhe politikat në mënyrë demokratike. Diskursi dhe shkëmbimi i ideve janë bazat themelore të një demokracie”, ka shkruar ai në Twitter.

Përleshja fizike midis opozitës dhe Qeverisë ndodhi derisa kryeministri Albin Kurti po mbante fjalimin e tij para deputetëve.