Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: E mirëpresim rezolutën e sotme të Parlamentit Evropian

Kryeministri Albin Kurti e ka mirëpritur rezolutën e sotme të Parlamentit Evropian për zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe për situatën në veri të Kosovës.

Kurti nëpërmjet një postimi në platformën X ka thënë se Parlamenti Evropian të enjten bëri thirrje edhe për rritjen e sigurisë në Kosovë dhe ka kërkuar nga Serbia të ndalojë mbështetjen e grupeve terroriste.

“Ndër masat e tjera, ai bën thirrje për rritjen e sigurisë për Kosovën dhe i kërkon Serbisë të shmangë çdo përshkallëzim të mëtejshëm, të ndalojë çdo mbështetje për formacionet terroriste dhe të tërheqë të gjitha bazat e saj operative ushtarake përgjatë kufirit”, ka shkruar Kurti.

 

Parlamenti Evropian ka dënuar ashpër sulmin ndaj policisë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke e quajtur sulm terrorist dhe ka kërkuar përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje. Këto janë përfshirë në rezolutën për zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe për situatën në veri të Kosovës. Teksti i kësaj rezolute, që u hodh në votim në seancën plenare të 19 tetorit, është përpiluar duke marrë parasysh disa propozime të grupeve politike në PE.

Artikuj të ngjashëm