Për më shumë se 5 vjet, rrjeti i kanalizimit po u shkakton probleme banorëve të lagjes Haradinaj nga fshati Stanovc i Epërm në komunën e Vushtrrisë.
Ata thonë se në këtë lagje janë dëmtuar gypat që bëjnë bartjen e kanalizimit nëpër fshat, çka edhe e ka vështirësuar qëndrimin këtu, raporton KTV.
Ndërsa, si rrjedhojë e këtij problemi, sipas tyre, shumë banorë janë shpërngulur nga kjo lagje, derisa ka edhe të tjerë që i kanë shitur shtëpitë e tyre.
Megjithëkëtë, sipas zyrtarëve komunalë të Vushtrrisë, kjo pritet të rregullohet shpejt, sepse është arritur marrëveshja për intervenim.
Por, ky nuk është problemi i vetëm që kanë këta banorë.
Shqetësuese për ta mbetet edhe mungesa e një vendkalimi për këmbësorët, duke i detyruar ata të ecin skaj rrugës, nëpër të cilën ka qarkullim të madh automjetesh.
Edhe
Stanovci i Epërm në Vushtrri pa kanalizim, banorët ankohen e komuna thotë se shpejt nis punimet
Drejtori për shërbime publike, Refik Maloku, ka thënë për televizionin se Komuna i ka bërë kërkesë Ministrisë së Infrastrukturës për intervenim në këtë rrugë pasi që ajo përfshihet në pjesën e rrugëve nacionale që e lidhin këtë fshat me Obiliqin e Podujevën.
Ndërsa, sipas tij, komuna shumë shpejt do të intervenojë me shtrimin e 500 metrave trotuar për ta lehtësuar qarkullimin e banorëve të lagjes nëpër zonat më të banuara.