Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Basha thotë se Rama shkeli dakordësinë për reformën në drejtësi

Tiranë, 13 prill - Kryetari i Partisë Demokratike(PD), Lulzim Basha, në një deklaratë të publikuar mbrëmjen e së mërkurës, thotë se opozita e mbështet vetingun sipas parashikimeve kushtetuese të 22 korrikut. Basha thotë se ka vetëm një garanci për largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar: një veting i pavarur dhe këtë veting do të bëjmë në Republikën e Re, shprehet ai.

“Pjesë thelbësore e reformës së 22 korrikut, ishte dakordësia për miratimin konsensual të shtatë ligjeve të zbatimit të reformës në drejtësi. Por, kjo dakordësi, shprehet Basha, u shkel nga Edi Rama, pasi 6 nga këto 7 ligje u kaluan pa konsensus, duke e përjashtuar opozitën me qëllimin për të shkatërruar reformën e vërtetë në drejtësi dhe për ta kthyer atë në një fasadë pas së cilës të fshihen të qetë të gjithë të korruptuarit dhe kriminelët”.

Kreu i PD-se përsëriti se opozita është ‘pro’ vetingut sipas parashikimeve kushtetuese të 22 korrikut për vetingun. Ligji i miratuar në mënyrë të njëanshme nga Edi Rama nuk ka lidhje me këtë reformë dhe nuk i shërben vetingut, por kapjes së këtij procesi, për të kapur pastaj gjithë aparatin e drejtësinë.

Sipas Bashës, ka vetëm një garanci për largimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve të korruptuar: një veting i pavarur. Këtë veting do të bëjmë në Republikën e Re.

Ne do të votojmë nga e para ligjin për vetingun dhe pesë ligjet e tjera të zbatimit të reformës në drejtësi, sipas marreveshjes se 22 korrikut, për t’i kthyer ato tek fryma dhe gërma e 22 korrikut dhe, mbi të gjitha, për të garantuar një drejtësi të pavarur nga politika dhe nga krimi. Por së pari duhet të bëjmë zgjedhje të lira, përfundon deklarata e kryetarit të PD-së.