Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka reaguar lidhur me vetaksidentin tragjik të 14 qershorit në autostradën "Ibrahim Rugova", ku humbi jetën një pasagjere. Përmes një statusi, Basha ka thënë se raporti zyrtar i Policisë së Kosovës ka konstatuar se gjendja e rrugës nuk ka qenë shkaktare e aksidentit, por se drejtuesi i veturës ka humbur kontrollin.
Basha i ka quajtur akuzat e mëparshme të disa politikanëve si "propagandë politike".
"Sot, Raporti zyrtar i Policisë së Kosovës tregon që në bazë të hetimeve profesionale, drejtuesi i automjetit e ka humbur kontrollin mbi veturën, duke goditur fillimisht sinjalizimin rrugor dhe më pas elementet mbrojtëse anësore. Për dallim nga raportimet e pavërteta dhe akuzat e nxituara të disa politikanëve e mediave, Raporti konstaton se të dy shiritat e qarkullimit kanë qenë të lirë për lëvizje dhe se gjendja e rrugës nuk ka ndikuar në shkaktimin e aksidentit", ka shkruar Basha.
Ky reagim i Bashës vjen pas një jave me përplasje verbale mes zyrtarëve të pushtetit qendror dhe kreut të Prishtinës. Fillimisht, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, kishte kritikuar ashpër Qeverinë në detyrë duke pretenduar se problemet me rrëshqitjen e dheut në autostradë ishin zvarritur për vite me radhë dhe se qytetarët po e paguanin çmimin "me jetë dhe me taksa", sidomos pas ndarjes së 4.67 milionë eurove për largimin e dheut.
Ndaj deklaratave të Ramës patën reaguar menjëherë eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje. Deputeti i zgjedhur i VV-së Ilir Kërçeli i kishte bërë thirrje Ramës që para se të merrej me "makropolitika", ta pastronte Prishtinën nga mbeturinat dhe minjtë.
Kishte reaguar edhe koordinatorja e komiteteve në LVV, Dejona Mihali, e cila e akuzoi Ramën se kishte përdorur një tragjedi njerëzore, duke ironizuar njëkohësisht me kontratat dhe shërbimet emergjente në komunë.
-
Vazhdojnë përplasjet mes Ramës e Bashës
-
Basha i reagon Ramës: Ministria nënshkroi kontrata për sanimin e plotë të skarpateve e jo “heqje dheu”
-
Rama kritikon Qeverinë për rastin në autostradë, Kërçeli: Fokusohu në problemet e Prishtinës
-
Një grua humb jetën në vetaksidentin në autostradën “Ibrahim Rugova”
-
Vdiq një person në një vetaksident në autostradën “Ibrahim Rugova”