Jo secila veturë mund të kalojë nëpër rrugët e Sharbanit.
Banorët e fshatit Sharban që nga paslufta përballen me vështirësi të kalimit në rrugë.
Avdyl Bulliqi thotë se prej vitit 2020 kanë paraqitur kërkesën për shtrimin e rrugës me zhavorr, mirëpo një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
“Prej vitit 2020 kam bërë kërkesë në Komunën e Prishtinës, edhe në kohën e Shpend Ahmetit, edhe tash. Para një muaji kam qenë te Krenar Xhaferi, drejtor i Investimeve Kapitale, dhe kemi biseduar për këtë rrugë. Kjo rrugë e lidh fshatin Sharban me fshatin Koliq dhe është e pakalueshme për të ardhur ne. Kemi tokën këtu dhe nuk po mund të vijmë ta punojmë, shumë problem. Kërkesa jonë e vetme është që rruga të shtrohet me zhavorr dhe të bëhet rruga e kalueshme”.
Vështirësitë për të kaluar nëpër rrugën pa infrastrukturë po dëmtojnë automjetet, thonë banorët.
“Krenari ka thënë që e kanë një projekt që fillon që nga 15 marsi deri më 1 qershor dhe e përfshin shtrimin e rrugëve me zhavorr e ndër to është edhe kjo. U kisha bë kërkesë që të dalin dhe të na e bëjnë një zgjidhje pasi jemi shumë keq. Kjo rrugë i ka 1 kilometër e gjysmë prej rrugës ku është e asfaltuar deri te prona jonë. Kurse kështu duhet të sillemi deri në 7 - 8 kilometra për të ardhur këtu. Po na kushton shumë pastaj, sepse po na prishen makinat, shtëpitë i kemi pak më poshtë dhe s’po mundemi me shku”, shtoi Bulliqi.
E Nazmi Bulliqi tregon se jo vetëm për banorët, por rruga në fjalë ka edhe rëndësi më të gjerë, sepse lidh Llapin me Gollakun.
“Ne problemin me rrugë e kemi që nga paslufta, kemi bërë kërkesa të shumta, kanë dalë në terren dhe ende nuk kanë marrë masa. Kjo rrugë nuk është e rëndësishme vetëm për neve, por ka rëndësi të madhe edhe strategjike, sepse gjithë rajonin e Llapit e lidh me Gollakun dhe mund të lidhesh me Kamenicën dhe Gjilanin. Edhe ne jemi tatimpagues sikurse edhe qytetarët e tjerë. Unë Krenar Xhaferit i kërkoj vetëm që të na e bëjë rrugën e kalueshme, sepse jemi edhe afër Prishtinës dhe kishim mundur edhe me investu diçka në këtë pjesë”, theksoi Nazmi Bulliqi.
Komuna e Prishtinës në buxhetin për vitin 2023 nuk ka mjete të ndara për fshatin Sharban.