Banorë të rrugës “Hazir Shala”, në lagjen Kalabria të Prishtinë, janë ankuar për gjendjen e kësaj rruge. Ata kanë thënë se pavarësisht ankesave që kanë bërë në Komunë, rruga nuk është rregulluar tash e 13 vjet.
Banorët kanë thënë se kjo është rruga kryesore nëpër të cilën iu duhet të kalojnë dhe se nuk kanë alternativë tjetër.
Banori Shaban Zuka ka thënë se gjendja e rrugës përkeqësohet sidomos kur ka reshje të shiut.
Zuka ka thënë se për gjendjen e rrugës janë ankuar në Komunë, por se deri tani ankesat e tyre nuk janë marr parasysh.
“Kemi mbajt mbledhje këtu në shkollë me kryetarin e Komunës, gjoja që s’i kanë mundësitë edhe sivjet, po na premtojnë deri kur shkon se di”, ka thënë Zuka.
Rexhep Ibishi, një tjetër banor, ka thënë se premtimet që u janë bërë në disa palë zgjedhje nuk janë realizuar.
Edhe
Vonesa në përfundimin e kolektorit në “Kalabri”, qytetarët në hall
“Kur po vijnë zgjedhjet, vijnë na premtojnë, brenda dy muajve, brenda tre muajve fillon ndërtimi, ka me u maru, ka me u punu, sen nuk po punohet hiç” ka thënë Ibishi.
Lidhur me ankesat e banorëve si dhe planin për investime në këtë rrugë, KOHA ka kontaktuar edhe Zyrën për media si dhe Drejtorinë e Investimeve Komunale në Komunën e Prishtinës, por ata nuk janë përgjigjur.
(A. Salihu/ D.Arifi)