Arbëri

Banorët e objekteve të ish-hekurudhës në Fushë-Kosovë ndihen të rrezikuar

Banorët e disa objekteve të vjetra në rrugën “Drenica” të Komunës së Fushë-Kosovës po ndihen të rrezikuar.

Ata thonë se këto objekte që ishin ndërtuar për punëtorët e hekurudhës para më shumë se gjysmë shekulli nuk janë riparuar asnjëherë.
Për shkak të dëmtimeve të shumta në kulme, oxhaqe e mure, banorët thonë se jetojnë me frikën se mund të pësojë dikush.

“Shi kur të bjerë, krejt pikon se nuk i ka ata kapuçat, s’i ka hiç. Në lesenit (azbest v.j.) mbulesën nuk e ka edhe rrjedh në katin e dytë”, tha banori Emin Dumani.

Ai shton se prej vitit 2009 vazhdimisht kanë bërë kërkesa në Komunë, por asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje pozitive.

“Nën 1 është telashi se oxhakët nuk janë mirë, nën 2 pikojnë banesat se janë të vjetra, nën 3 kjo pjesë këtu kur bie shi krejt mbushet ujë, nën 4 komuna s’merr masa me i lye banesat apo diçka”, pohoi banori tjetër Lumni Lima.

Zyrtarët e “Infrakosit”, në një përgjigje me shkrim, kanë thënë se këto objekte janë ndërtuar nga Hekurudhat e Kosovës për ish-punëtorët e saj, por me kalimin e kohës këto banesa janë privatizuar.

“Objektet banesore në rrugën ‘Drenica’ në afërsi të stacionit të nyjës hekurudhore në Fushë-Kosovë janë ndërtuar nga Hekurudhat e Kosovës, të cilat janë përdorur nga ish-punëtorët e hekurudhave, mirëpo me kalimin e kohës banesat janë privatizuar sipas ligjeve në fuqi. Përderisa banesat janë privatizuar, ‘Infrakos Sh.A.’ nuk ka ndonjë obligim për mirëmbajtjen e tyre edhe me gjithë faktin që këto banesa janë nën pronën e ‘Infrakosit’”, thuhet në përgjigjen e Rafet Çitakut, zyrtar në “Infrakos”.

Banorët kanë thënë se para një muaji e kanë bërë një peticion, të cilin e kanë dorëzuar në Komunën e Fushë-Kosovës. Por, deri tash nuk kanë marrë përgjigje.

Komunarët përgjigje nuk kanë dhënë as për KOHËN, edhe pse pyetjet u janë dërguar që në fillim të javës që shkoi.

Për problemet e këtyre banorëve ka reaguar edhe Durim Hajra, shef i Grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes në Fushë-Kosovë.

“Kjo qeverisje vetëm në vitin 2021 ka shpenzuar hiç më pak se 196, 314.93€ për rinovim dhe ndërtim të shtëpive, e që ne dyshojmë që nga ky fond kanë përfituar persona të afërt me pushtetin komunal e që as nuk i kanë plotësuar kriteret, ndërsa një nga lagjet më të vjetra dhe me nevojë urgjente për investime anashkalohet”, tha Hajra.

Edhe Hajra ka thënë se për shkak të vjetërsisë dhe mosrinovimit të tyre këto objekte përbëjnë rrezik për banorët.