Për disa muaj me radhë, linja 3 e Trafikut Urban ka operuar vetëm nga rruga B dhe C, përgjatë kohës që në rrugën “Muharrem Fejza” ishin duke u kryer punimet.
Me përfundimin e asfaltimit të kësaj rruge, komuna e Prishtinës ka marrë vendim për rikthimin e linjës 3 në lagjen ku ishte e dedikuar që nga fillimi.
Në këtë mënyrë, ky autobus operon vetëm për një kahje nëpër Muharrem Fejzë, përderisa, për t’u kthyer në qendër, përdor rrugën C ku ndalet edhe për një pushim prej 10 minutësh.
Kjo nuk është pritur aspak mirë nga banorët e rrugës B dhe C të cilët thonë se po iu duhet të përdorin dy autobusë.
“Ne jemi pa transport publik. Linja 3 shkon ka ‘Muharrem Fejza’ e pastaj vjen ka rruga C. Por së pari ndalet në fillim të rrugës atje, e ne që e kemi shpinë këtu më larg, duhet të ndërrojmë”, ka thënë Suki Bllacaku, banore e Rrugës C.
Sipas Bllacakut, komuna duhet të bëj një zgjidhje urgjente për ta pasi ata po detyrohen të paguajnë dy bileta.
Për një problem të tillë janë ankuar edhe shumë qytetarë të tjerë të rrugës “Muharrem Fejza”.
Përfaqësuesi i tyre, Dren Shahini, përmes një postimi në faqen e lagjes, ka thënë se shumë banorë po detyrohen të paguajnë nga dy bileta.
“Këto ditë, pas rikthimit të linjës 3 në rrugën "Muharrem Fejza", ka vërejtje se banorët që hipin mbrenda lagjes për të vazhduar në qytet, po detyrohen të paguajnë nga dy bileta! Kjo praktikë nuk ka qenë në fillim të operimit të kësaj linje!
Duke e ditur se kjo linjë brenda lagjes tonë është vetëm njëkahore dhe se stacioni i fundit përfundon krejt afër lagjes tonë, është e paarsyeshme dhe barrë e rëndë të paguhen dy bileta për një drejtim! Uroj që kjo praktikë e padrejtë të ndryshohet!
Faleminderit paraprakisht!”, ka shkruar Shahini.
Zyrtarët e komunës së Prishtinës thotë se janë duke punuar në rikonstruktimin e linjave të autobusëve.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, thotë se me ardhjen e autobusëve të rinj nuk do mbetet asnjë vend i Prishtinës pa transport.
Për të mundësuar këtë gjë, Musliu ka paralajmëruar se kompanitë private të trnasportit publik do të paguhen për kilometrazhë njësoj sikurse edhe Trafiku Urban.
Një gjë të tillë e kanë mirëpritur transportuesit privatë.
Në rrugën “Muharrem Fejzë” qarkullojnë edhe dy linja tjera të autobusëve. Është linja 3B e Trafikut Urban, që shkon vetëm në një kahje, përderisa nga transporti privat është edhe linja 3A, që qarkullon në dy drejtimet.