Emisioni “Desku” në KTV ka qenë nikoqir i gazetareve të cilat kanë përcjellë raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë që u mbajtën të dielën.
Gazetarja Gili Hoxhaj e cila ka raportuar nga Komuna e Istogut, ka thënë se procesi ka shkuar mirë.
Sipas saj, nëse shikohet edhe në retrospektivë, LDK-ja ka pasur një mbështetje në këtë komunë.
“Mund të jetë sfiduese, sidomos kur kemi të bëjmë me qytete të largëta, t’i bartim materialet në kohë. Po megjithatë, secila sfidë e prodhon edhe kënaqësinë e vet kur e sheh që po mund ta pasqyrojmë atë që po ndodhë”, tha Hoxha, që mbuloi Istogun në ditën e zgjedhjeve.
Ndërkaq Dorentina Thaqi e ka përcjellë procesin zgjedhor në Podujevë dhe Vushtrri.
Edhe
Pushtet i balancuar në nivel lokal, të gjitha partitë shpallin fitoren
Ajo ka thënë se pas mbylljes së qendrave të votimit, festa filloi në LDK edhe pse më vonë fituese doli Lëvizja Vetëvendosje me Shpejtim Bulliqin.
“Kishte aq shumë persona në shesh sa edhe me redaksinë ishte pothuajse e pamundur të komunikonim. Krahasuar me zgjedhjet e kaluara, këtë herë ka pasur më shumë festë”, ka thënë ajo.
Leonita Bajrami e cila ka përcjellë procesin zgjedhor në Prishtinë, ka thënë se LDK-ja për një kohë ka qenë e heshtur.
Sipas saj, fillimisht mediat i kishin lënë pa ndonjë informacion derisa ata po i shikonin projeksionet të cilat i nxirrnin me rezultate të ndryshme.
“Rezultatet e KQZ-së ishin befasuese edhe vet për partinë. Megjithatë Ramaj është kryetar i Prishtinës dhe duket se as votat e diasporës nuk mund ta ndryshojnë rezultatin”, ka thënë ajo.
Gazetarja Valbona Bytyqi e cila po qëndronte në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se festa ka filluar menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit.
Ajo ka thënë se gjatë kohës sa po festonin kanë tentuar të merrnin qëndrime nga simpatizantët, por të gjithë refuzonin të deklaroheshin.
Edhe
Zgjedhjet lokale i nxjerrin të gjithë “fitues”
“Prapa kamerave shihej gëzimi, por gjithçka përfundoi shumë shpejtë. Përveç projeksioneve, rezultatet e KQZ-së e thanë të kundërtën pasi e nxirrnin Ramën fitues”, ka thënë ajo.
Marigona Brahimi e cila ka përcjellë zgjedhjet në Prizren ka thënë se festa e PDK-së ka nisur tek pas shpalljes së rezultateve preliminare të KQZ-së.
“Ne shkuam te shtabi i LVV-së dhe ata filluan të festonin para kohe. Më vonë pasi u numëruan votat doli se Totaj po printe dhe pasi dolën rezultatet, filloi festa e PDK-së. Ka qenë pothuajse e pamundur edhe për Policinë e Kosovës të ndërhynte. Prizreni është ndër komunat më të mëdha të Kosovës dhe nëse PDK-ja e udhëheq do të thotë se e ka përmirësuar njëfarë mënyrë imazhin e tij”, ka thënë ajo.
E Sanie Jusufi e cila ka qëndruar në Gjilan, ka thënë se kandidati Lutfi Haziri rreth orës 21:00 e pranoi humbjen.
Sipas saj, të dyja partitë këtë herë kanë qenë të rezervuara dhe nuk kanë dalë për të festuar.
“Është goxha e rëndë për Hazirin që të pranojë këtë humbje pasi Gjilani ishte ndër komunat që ka qenë bastion i LDK-së. Anamorava tashmë është kthyer në një bastion i Lëvizjes Vetëvendosje pasi edhe Kamenicën po e udhëheq. Megjithatë nuk e ka marrë në Viti, pasi atje vazhdon të jetë LDK”, ka thënë ajo.
Ndërkaq gazetarja Saranda Rama e cila ka qëndruar në Gjakovë dhe Junik, ka thënë se në të dyja komunat ka qenë garë interesante.
Edhe
Zgjedhjet e balotazhit
Sipas saj, AAK-ja ka pasur tkurrje edhe në Dukagjin por edhe në Pejë nuk ka pasur asnjëherë rezultate më të dobëta.
“Duke se gjakovarët janë të kënaqur me Ardian Gjinin, përkundër që Vetëvendosja ishte kogja aktive në fushatë”, ka thënë ajo.