Këshilltarja politike në Ministrinë e Drejtësisë, Nazlie Bala, derisa ka folur për vrasjen e grave në Kosovë, ka thënë se ky problem nuk trajtohet vetëm nga një institucion, por nga institucione të shumta që duhet të veprojnë në përputhje me ligjin.
Sipas saj, një ndër institucionet ku ka mangësi të mëdha janë qendrat për punë sociale, si kontakt i parë për ofrimin e shërbimeve për viktimat e dhunës në familje.
“Ky fenomen apo problem i madh në shoqëri nuk trajtohet vetëm nga një institucion, por nga institucione të shumta që me përgjegjësi të tyre të përcaktuara me ligj duhet të veprojnë në këtë drejtim. Janë një mori fushash ku ka ngecje jashtëzakonisht të madhe. Qendrat për punë sociale janë kontakti i parë sa i përket ofrimit të shërbimeve për viktimat e dhunës në familje, ka mangësi jashtëzakonisht të mëdha. Këto qendra janë përgjegjësi dhe menaxhim i komunave. I ftoj të gjitha komunat që të fuqizojnë qendrat për punë sociale”, ka thënë ajo.
Bala ka thënë se ka çalime edhe në sistemin e drejtësisë. Sipas saj, asnjëherë nuk ka vendime gjyqësore në trajtimin e vrasjeve pikërisht nga motivi gjinor.
“Përkundër ashpërsimit të masave dhe ndryshimeve ligjore që janë marrë ne dje në takim me Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial e kemi adresuar ashpërsimin e dënimeve siç e përcakton ligji. Prandaj për ne është e paimagjinueshme trajtimi i rasteve të dhunës në familje të përfundojë me gjoba dhe të gjithë ata dhunues t’i kemi të lirë. Nuk trajtohet dhuna në familje përmes shqiptimit të gjobës, dhuna në familje trajtohet përmes shqiptimit strikt, siç e përcakton ligji”, është shprehur ajo.
Edhe
Bala për dënimet e buta ndaj rasteve të dhunës në familje: Dekurajojnë viktimën dhe inkurajojnë dhunuesin
Sipas Balës, duhet të ashpërsohen edhe dënimet nga ana e gjyqtarëve për numrin e madh të armëmbajtjeve pa leje.
“Është shqetësim jashtëzakonisht i madh numri i armëve apo armëmbajtja në duart e qytetarëve, prandaj duhet të ashpërsohen dënimet nga ana e gjyqtarëve. Nuk kemi jetë të vajzave dhe grave për të humbur për shkak të neglizhencës së institucioneve përgjegjëse që me ligj i kanë të përcaktuara detyrat dhe përgjegjësitë”, ka thënë ajo.
-
Pesë vrasje në shtatë ditë: Boshllëqet sistemike në sigurinë dhe drejtësinë penale në Kosovë
-
Mbi 2000 gra viktima të dhunës në familje këtë vit
-
“Alarmante shifrat e dhunës në familje”, Haxhiu: Deri tani asnjë dënim maksimal për dhunuesit
-
Shtatë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve, dy të dyshuar në mbajtje