Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se veprimet e Qeverisë po dalin kundër të gjithëve, ndonëse sipas saj, ka ardhur në pushtet me sloganin “krejt dhe drejt”.
Ajo përmes një postimi në Facebook të martën, ka shkruar se partia në pushtet është kundër mediave, që sipas saj, nuk po raportojnë sipas qejfit të saj. Ajo shtoi se “Vetëvendosje që protestonte e merrte pjesë në secilën grevë, është kundër të gjithë sindikalistëve”.
“Partia në pushtet është kundër mësuesve, pse po kërkojnë rritje pagash, partia në pushtet është kundër kujtdo që ankohet pse po ka reduktime të energjisë elektrike në pikë të verës, partia në pushtet është kundër secilit që ia thotë të vërtetën Albin Kurtit se po jetëson marrëveshjet e mëhershme me Serbinë, partia në pushtet po del kundër secilit që ia kujton kohën se kur ishte në opozitë kishte tentuar të kallë Kosovën për marrëveshjet me Serbinë që po jetësohen nga Albin Kurti”, ka shkruar ajo.
Bajrami ka thënë se edhe sindikalistët dhe mësuesit që po kërkojnë dialog dhe rritje pagash kanë qenë votuesit e kësaj Qeverie.
Ka shkruar se në vend të dialogut me secilin qytetar në krizë, kryeministri Albin Kurti dhe partia në pushtet, kanë vendosur të merren veç me dialogun dhe takimet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Ajo ka thënë se mijëra prindër nuk kanë shkuar në punë shkaku i mbylljes së çerdheve, e që sipas saj, të enjten ka rrezik të mos fillojë viti i ri shkollor.
“Kryeministër, reflekto dhe gjeje një zgjidhje. Më së lehti është të fshihesh e të mos ballafaqohesh me sindikalistët por kështu po i dëmton votuesit tuaj, po i dëmton gjithë qytetarët. Nuk ke marrë pushtetin për t’u fshehur por për bërë zgjidhje. Kryeministër, sot duhet urgjentisht t’i takosh sindikatat, të flasësh me ata sinqerisht, mos harro se ata janë po ata profesionistë që dikur me dekada kanë punuar edhe pa pagesë. Kërkesat e tyre janë legjitime se inflacioni ka arritur në 20%. Nëse nuk ke buxhet, diskuto sinqerisht me Sindikatat, se ata do të ju mirëkuptojnë, mos i kërcënoni se nuk ju ka hije”, ka shkruar ajo.
Ajo ka thënë se duhet folur sinqerisht e të mos arsyetohen me ligjin e pagave.
Bajrami ka deklaruar se nuk do të përmirësohet arsimi në Kosovë, pa e kthyer dinjitetin e mësuesit dhe kjo sipas saj, nuk mund të bëhet me kërcënime.