Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se partia në pushtet, Qeveria dhe Kurti duhet të gjejnë zgjidhje e jo të konfrontohen me grevistë.
Në një postim në Facebook ka shkruar se Lëvizja Vetëvendosje, dikur përkrahëse e secilës grevë në sektor publik e privat, duhet të gjejë zgjidhje shpejt për grevën e nisur sot sepse dëmi nga zgjatja e grevës mund të jetë i parikuperueshëm.
“Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka për obligim të ulet me sindikalistet, të nisë dialogun social dhe të gjendet një zgjidhje për përfundimin e grevës. Vetëvendosje ka ardhur në pushtet duke premtuar zgjidhje për secilin problem në nivel lokal, në nivel qendror, në nivel mbarëkombëtar e ndërkombëtar”, ka thënë ajo.
Sipas saj, në vend të zgjidhjeve, Qeveria ka zgjedhur konfrontimi me sindikatat si rrugë e vetme.
Ajo ka thënë se kjo rrugë është e gabuar pasi pasojat do t’i bartin të gjithë e jo veç partia në pushtet dhe kryeministri Kurti.
Ka shtuar se edhe ideja për t’i ndëshkuar sindikalistët grevistë është vepër penale dhe nuk mund të realizohet në një shtet demokratik siç është Kosova.
Edhe
Bajrami: Beteja e Kurtit nuk është me ndërtu, por me shkatërru
“Ne kemi në fuqi Ligjin për Grevat, i cili i ka dhënë të drejtë punëtorit të organizojë grevë të ligjshme dhe i ka dhënë mbrojtje se askush s’mund të marrë masa ndaj tij pse ka hyrë në grevë të ligjshme. Ndëshkimet përmes komisarëve dhe komisariateve mund t’i bëjnë vetëm në parti por jo edhe në Qeveri. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryeministri Kurti kanë mbetur te tema e tabelave dhe nuk po merren me asnjë problem tjetër. As me problemin e arsimit. As me problemin e energjisë. As me problemin e ekonomisë. As me problemin e shëndetësisë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, në vend të zgjidhjeve, Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti kanë zgjedhur të mos flasin për asnjë temë tjetër përveç për tabela dhe për takime me Vuçiqin, dikur prioritet i fundit.