Arbëri

Vendimi i Kushtetueses, LDK: Fitore e madhe e demokracisë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku

 

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur fitore të madhe të demokracisë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e seancës konstituive.

“Siç e kishim thënë, sa e sa herë, partia e parë kishte uzurpuar foltoren, me imponim kishte ndryshuar rendin e ditës dhe me kokëfortësi për plot 48 herë kishte shkelur Kushtetutën e Kosovës duke insistuar në votimin e fshehtë - para dhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ai në Facebook.

E, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se Gjykata Kushtetuese e ka vërtetuar atë që ka thënë partia e saj vazhdimisht. Kushtetuesja ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve. Në njoftimin e publikuar të premten thuhet se Kushtetuesja ka përcaktuar që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në 3 herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.

Ajo ka shtuar se nuk mund të ketë demokraci në një shtet ku nuk respektohet Kushtetuta dhe ligji.

“Prej ditës së parë e kemi thënë këtë që e vërtetoi Gjykata Kushtetuese sot: Albin Kurti e ka detyru Avni Deharin me shkelë Kushtetutën; I njëjti kandidat nuk mund të votohet më shumë se 3 herë - Albin Kurti më nuk mund ta bllokojë Kosovën për emrin e Albulena Haxhiut sepse shteti i është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër; Deputetët duhet të marrin pjesë në votim; Votimi duhet të jetë i hapur – Kushtetuesja mbështetë transparencën, sepse ne jemi përfaqësuese të qytetarëve dhe ata kanë të drejtë të shohin se kush për kë voton”, ka shkruar ajo në Facebook.

Bajrami ka thënë tutje se “Kushtetuta e Ligji janë mbi lojërat politike, s'ka demokraci aty ku s'ka repspektim të Kushtetutës dhe të Ligjit”.

Lexo përditësimet tjera
kusht.

Vendimi i Kushtetueses mirëpritet nga ish-opozita, pushteti hedh akuza ndaj Gjykatës