Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Muratit, i cili tha se opozita po i bllokon marrëveshjet ndërkombëtare.
Ajo ka thënë se një ditë pasi u bënë publike sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, “ministri i dështuar i Financave paska akuzuar opozitën. Për keqardhje as këtë punë nuk është në gjendje ta bëjë”.
Ka shkruar në një postim në Facebook se “ministrit të cilit i kanë tepruar më shumë se 600 milionë euro në fund të vitit qenka ankuar se opozita po e pengon duke mos ja ratifikuar disa marrëveshje ndërkombëtare financiare” dhe siç ka thënë ajo, Murati po mendon që opozita ka harruar që ishte LVV-ja e cila në vitin 2015 nuk e ka votuar as Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit - marrëveshjen e parë kontraktuale me BE-në.
“Për më tepër ministri duhet ta dijë se për mosvotim në Kuvend të çdo ligji e marrëveshjeje është ai përgjegjës, qeveria dhe deputetët e tij të cilët me fyerje e arrogancë nuk kanë arritur të kenë konsensus për asnjë gjë – kjo tregon kush janë pozita më shumë, sesa kush janë opozita”, ka shkruar ajo.
Bajrami ka thënë se qytetarët e dinë shumë mirë se qeverinë dhe ministrin e Financave askush nuk i ka penguar që të bëjnë reforma fiskale, që t’i rrisin pagat, ta rrisin pagën minimale, t’i ulin çmimet e produkteve esenciale.
“Opozita nuk e ka rrit çmimin e rrymës, nuk ka pengu në ndërtimin e banesave për çifte të reja, nuk e ka pengu në ndërtimin e 160 çerdheve, po supozoj nuk e ka pengu as me heqë drejtorin e PDK-së nga ATK-ja, të cilit që një vit e gjysmë i ka kaluar mandati, opozita nuk e ka rritë tatimin në pronë, opozita nuk i ka dhënë 100 milionë nga buxheti për energjinë elektrike të shpenzuar në veri, opozita nuk ka lidhje me ambasadorin Martin Berishaj as me kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, opozita nuk ta ndalon me zgjedhë guvernatorin e BQK-së, drejtorin e NJIF-it, 11 sekretarë të ministrive që janë me ushtrues detyre që më shumë se dy vjet, as bordin e Fondit Pensional, opozita s’po nënshkruan kontrata njëburimore, opozita s’po t’i ndalon investimet kapitale, opozita nuk po i shtyn mjekët të ikin nga vendi as 150 mijë qytetarë të tjerë të cilët lanë Kosovën në mandatin e juaj, opozita s’po e pengon mërgatën të vijë me investu (Gjonbalaj 50 milionë euro)”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, të gjitha këto janë premtime me të cilat Qeveria ka ardhur në pushtet “dhe ka dështuar keq sepse keni degradu çdo fushë”.
“Jo Hekuran Murati, kjo propagandë nuk të kalon kësaj here. Ju keni dështuar në çdo sferë e kulmi i dështimit janë sanksionet ndaj Kosovës si rezultat i eksperimenteve tuaja. Sot, në vend që të festojmë të gjithë për deklaratën e 2 korrikut dhe t’i nderojmë të gjithë ata që dhanë jetën për këtë shtet, ne sot flasim për sanksionet e BE-së ndaj Kosovës – çfarë degradimi!!!”, ka shkruar ajo.