Arbëri

Bajraktari për vdekjet në vendin e punës: Kontrolli shtetëror është i mangët

Eksperti i sigurisë dhe shëndetit në punë, Naim Bajraktari, ka thënë se situata aktuale me vdekjet e punëtorëve në vendin e punës është e rëndë.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se janë ulur kontrollet në terren, duke shtuar se “bizneset po e shohin që shteti është në gjumë”.

Bajraktari ka thënë se një pjesë e inspektorëve qëndrojnë  në zyra dhe një pjesë e vogël del në terren.

“Unë nuk e di nëse deri sot është dënuar dikush 35 mijë euro, dënimet kryesisht janë 1 mijë apo 2 mijë euro për kompanitë. Mosmarrja e masave nga kompanitë është vepër penale. Nuk ka kontroll. Nuk duan ta ndajnë  një buxhet minimal për të garantuar një ekspertë të sigurisë në kompani”, ka thënë ai.

Sipas Bajraktarit, është  brengosëse se si askush nuk burgoset edhe kur ka humbje jete.

Ka thënë se ka shumë kompani në të cilat nuk ka shkuar kurrë asnjë inspektor.

“Viteve të fundit është trajtuar ndryshe siguria në punë. Inspektorët nuk i kanë kërkuar faktorët kryesorë kur shkojnë në kompani. Ne kemi numër të vogël të ekspertëve. Nga tetori i vitit 2023 nuk është mbajtur provimi i ekspertëve. Ka kompani që ka 100 punëtorë por nuk e di që ekziston ligji i sigurisë. Kontrolli shtetëror është i mangët sepse as ata nuk i kanë kushtet e mira ta zbatojnë ligjin sa duhet”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se rrezik ka edhe në hapësirat e qendrave të thirrjeve apo siç njihen si “call center”. Kjo pasi sipas tij punojnë shumë persona në ambiente shumë të ngushta.

Ka deklaruar se në Kosovë kompanitë punësojnë punëtorë pa kontrolle për të parë nëse janë të aftë për punë.