Ka shkuar në 9 numri i vdekjeve në vende pune sivjet në Kosovë. Të mërkurën humbi jetën një person në fshatin Gllaviçicë të Pejës, pas lëndimeve që i pësoi në vendin e punës.
Situata po shihet si alarmante nga eksperti për sigurinë dhe shëndetin në punë, Naim Bajraktari. Ai ka fajësuar shtetin për mungesën e masave ndaj kompanive që shkelin ligjin. Bajraktari në mes të prillit pati thënë për “60 Minuta” në KTV se numri i lartë i vdekjeve të punëtorëve në vende pune është si pasojë e neglizhencës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMinistri për Punë, Andin Hoti, më 13 prill mori vendim për aksion të jashtëzakonshëm të inspektimeve në vend punishte. Bajraktari e pati cilësuar të qëlluar edhe pse të vonuar vendimin. Ai megjithatë, ka thënë se pas dy javëve duhet të dihet çfarë masa janë marrë nga shteti dhe jo që gjithçka të përfundojë vetëm me këtë inspektim. Bajraktari ka shtuar se pret që nga ky inspektim të gjenden shumë shkelje në terren.
“Është fund e krye neglizhencë e shtetit, e qeverisë, e inspektoratit. S’është në pyetje a ka pasur vullnet. Nuk është punë e vullnetit me e shpëtu jetën e njerëzve. Ne jemi të obliguar të marrim masat e sigurisë në punë. Kush i merr masat? I merr shteti. Ligji është shumë i qartë e i pastër me të gjitha masat e përcaktuara, e pse nuk respektohet? Pikërisht është nga vetë shteti që nuk e stimulon vetë inspektoratin. Nuk ua bën kushtet”, ka thënë ai. “Duke u bazuar edhe në vendimin e ministrit, apeli im është të merren masat, të identifikohet rreziku në vend punishte. Nëse vetëm identifikohet dhe bëhet vlerësim e nuk marrim masa, është punë e kotë”.
E ditë më parë KOHA ka raportuar për dënime minimale në rastet e vdekjeve dhe lëndimeve të rënda në vendin e punës. Bazuar në aktgjykime të publikuara në faqen e Këshillit Gjyqësor, kryesisht janë shqiptuar gjoba për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Dënimet e këtilla janë dhënë, pavarësisht se Kodi Penal parasheh që në rastet me lëndim të rëndë trupor, dënimi të jetë në shkallën deri në 10 vjet burgim dhe nuk lë alternativë për gjobë.
Vetëm me një nga aktgjykimet e analizuara nga KOHA është shqiptuar dënimi brenda minimumit që parasheh ligji. Aktgjykimi është firmosur nga gjyqtari i Prizrenit, Fatmir Krasniqi, dhe i referohet rastit të një të mituri që ka mbetur me pasoja të përjetshme shkaku i lëndimeve në një mishtore në Gjonaj.
Edhe ky aktgjykim nuk ka formën e prerë, meqë është në trajtim në Gjykatën e Apelit.
Po kjo gjykatë, e ka kthyer në rigjykim rastin për një punëtor të vdekur, pasi në shkallë të parë i janë shqiptuar 15 mijë euro gjobë KEDS-it, ndërsa është liruar koordinatori i mirëmbajtjes, i akuzuar në këtë rast.
Ndërkaq, në një tjetër rast, për vdekjen e punëtorit të kompanisë së ndërtimit “Fitorja”, shkaku i kontaktit me rrymën, dy të akuzuar u dënuan me nga 1.800 euro gjobë.
Kur punëtorët vdesin në vend pune shkaku që kompanitë nuk marrin masa mbrojtëse, ligji parasheh dënim deri në 12 vjet burgim. Në aktgjykimet e analizuara, asnjë dënim i këtillë nuk është shqiptuar.
Në Këshillin Gjyqësor kanë arsyetuar vendimet.
“Gjyqtarët ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të pavarur, duke vendosur në bazë të provave të administruara dhe ligjeve në fuqi. Sa i përket çështjes së politikës ndëshkimore dhe lartësisë së dënimeve për veprën penale ‘Asgjësim, dëmtim ose heqje të pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës’, unifikimi dhe orientimi i praktikës gjyqësore është kompetencë e Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila përmes buletineve, përmbledhjeve të praktikës gjyqësore dhe mendimeve juridike kontribuon në sigurimin e zbatimit të njëtrajtshëm të ligjit”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor.
Ministria e Punës ka ndërmarrë aksion të jashtëzakonshëm 15-ditor për t’i inspektuar vendpunishtet. Bazuar në të dhënat e publikuara të dielën, gjatë 48 orëve të fundit Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punën në 27 vendpunishte të ndërtimtarisë, e në më shumë se 100 sosh që nga fillimi i aksionit.
Ka të dhëna të ndryshme për numrin e të vdekurve në vend pune gjatë vitit të shkuar. Sipas Inspektoratit, 19 punëtorë kanë humbur jetën e sipas Sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, ky numër është mbi 30.