Arbëri

Azemi: Ndarja e 50 eurove për sektorin publik na kujton pabarazinë e viteve ‘90-99

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë se vendimi i Qeverisë për ndarjen e nga 50 eurove për punëtorët e sektorit publik, i ka shokuar ata të sektorit privat.

Ka shtuar se edhe për punëtorët e sektorit publik shuma e ndarë nga Qeveria prej 50 eurosh është shumë e vogël.

Azemi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se vendimi krijon pabarazi, e që sipas tij, një e tillë ka mundur të ndodhte vetëm gjatë viteve 1990-99.

“Unë merrem me këtë kategori të punëtorëve që nga vitet 90-a, atëherë kur vërtetë diskriminoheshim ne shqiptarët në raport me të tjerët. Punëtorët e sektorit publik i kanë kushtet e punës shumë më të mira se ne, por ne jemi tri herë më të dëmtuar në paga. Është dashur që ky stimulim të jetë njëherë për punëtorët e sektorit privat, e pastaj për ata të sektorit publik”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk ka hendek më të madh se vendimi i sotëm për mos stimulim të punëtorëve të sektorit privat.

Azemi ka thënë se ky është një dënim dhe shantazh ndaj punëtorëve të sektorit privat.

Ka thënë se kryeministri i Kosovës është kryeministër i të gjithëve, derisa shton se trajtimi duhet të jetë i njëjtë për të gjithë.

Sipas tij, janë duke fituar ata që kanë më shumë.