Në episodin e 21-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është politikani shumëvjeçar Azem Vllasi, me të cilin diskutohet për zhvillimet në vitet ’90, Marrëveshjen e Rambouilletit e çështje të tjera. Është pjesa e tretë e rrëfimit të Vllasit.
Vllasi: Marrëdhëniet me Serbinë mund të mbeten të ftohta edhe 20-30 vjet
Politikani Azem Vllasi ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të mbeten të ftohta për dekada me radhë, duke parashikuar se do të duhen të paktën dy deri në tri gjenerata të reja për t’i dhënë fund urrejtjes historike dhe për të mundësuar pajtim real.
Vllasi ka shpjeguar se, sipas mendimit të tij, do të duhen rreth 20 deri në 30 vjet që gjeneratat e reja serbe, të cilat janë rritur me një kulturë lufte dhe me një narrativë të fortë nacionaliste, të arrijnë në pozita udhëheqëse. Ai ka shprehur optimizëm të kujdesshëm, duke vënë në dukje se pas vitit 2050, me kalimin e kohës, tema e Kosovës mund të bëhet një çështje më e tejkaluar për Serbinë, duke u shndërruar në një temë të paimagjinueshme.
"Po vijnë gjenerata të reja që do ta kuptojnë realitetin. Pas 26 vjetësh, Kosova është e lirë nga Serbia dhe asnjë segment i pushtetit serb nuk ekziston më këtu”, ka thënë Vllasi në podcastin “PIKË” me Veton Surroin.
Në vijim të deklaratës së Vllasit, Surroi u shpreh se edhe strukturat paralele të pushtetit serb, të cilat ishin aktive deri vonë, tani kanë humbur ndikimin e tyre.
Vllasi ndërkohë ka thënë se përpjekjet e Serbisë për të krijuar një asociacion të komunave me shumicë serbe janë gjithashtu një mundësi për të patur një qeverisje direkte,
Surroi, nga ana e tij, ka theksuar një këndvështrim më pesimist, duke paralajmëruar se ende ekzistojnë demonstrata dhe protesta në Serbi që shfaqin parullat e vjetra të nacionalizmit dhe të tezës për një
“Kosovë Serbe”, duke vënë në dukje se ka shumë serbë që janë rritur në një kulturë lufte dhe që vazhdojnë të mbajnë ide të vjetra që bëjnë të vështirë mundësinë për një pajtim të shpejtë.
Përkundër shqetësimeve, Vllasi ka mbajtur një qëndrim optimist.
“Kohë më shumë do duhet për të arritur një ndërrim të thellë, por unë mendoj se ngadalë, por sigurt, do të ndryshojnë qëndrimet e serbëve ndaj Kosovës, pasi është e pamundur të jetosh në një vend që nuk e njeh realitetin”, ka thënë ai.
Vllasi thotë se nga shtetet e ish-Jugosllavisë, Sllovenia i dha përkrahje Kosovës
Politikani shumëvjeçar Azem Vllasi ka përmendur përkrahjen e jashtëzakonshme për Kosovën nga Sllovenia, veçanërisht nga Millan Kuçani, udhëheqësi i shtetit në atë kohë, në vitet ’90.
Vllasi ka shpjeguar se, ndërkohë që shumë shtete të ish-Jugosllavisë kanë hezituar të japin mbështetje të drejtpërdrejtë ndaj Kosovës gjatë periudhës së krizës, Sllovenia ka qenë ndër të parat që e ka bërë këtë hap.
“Kur kishte shpërthyer greva e minatorëve në Stantërg, Kuçani mbajti një fjalim të rëndësishëm në Cankarjev Dom të Lubjanës, ku tha se minatorët e Kosovës po mbronin Jugosllavinë e AVNOJ-it, që për ne kishte një domethënie të madhe. Ai e dinte që ne nuk ishim angazhuar për asnjë lloj veprimtarie që mund të na çonte në burg, por ai kishte besim në atë që po bënim”, ka theksuar Vllasi në podcastin “PIKË” me Veton Surroin.
Surroi ka theksuar se kjo mbështetje nga Kuçani dhe Sllovenia ka pasur një rëndësi të veçantë për të gjithë procesin e fundit të ndarjes së Jugosllavisë dhe formimin e shtetësive të reja.
Vllasi ka vazhduar duke theksuar se shumë shtete të tjera, përfshirë Bosnjën dhe Kroacinë, kanë pasur protesta përkrahëse, por kanë qenë më të rezervuar dahe nuk kanë guxuar të japin mbështetje të drejtpërdrejtë. Ai ka përmendur se edhe pse ka pasur shumë lëvizje popullore kundër politikave represive të regjimit serb, shumë liderë të republikave të tjera, për shkak të ndjeshmërive politike, nuk kanë dalë hapur në mbështetje të Kosovës.
Surroi: Marrëveshja e Rambouilletit, një nga momentet më të rëndësishme në rrugën drejt pavarësisë
Në një bashkëbisedim në podcastin “PIKË” me Azem Vllasin, publicisti Veton Surroi e ka cilësuar Marrëveshjen e Rambouilletit si një nga momentet më të rëndësishme në rrugën drejt pavarësisë së Kosovës.
Surroi ka përshkruar se si delegacioni kosovar, përfshirë liderin Ibrahim Rugova, kishte arritur në Rambouillet me një qëllim të qartë: të siguroheshin kushte që do të mundësonin një kalim të sigurt nga konflikti në një periudhë paqeje, me garanci për të ardhmen politike të Kosovës.
Në një periudhë kur lufta ishte e pashmangshme dhe tensionet ndërkombëtare ishin në kulmin e tyre, marrëveshja që po negocionin nuk ishte ajo për pavarësinë e Kosovës, por për një proces që do të çonte në të, tregon Surroi.
Për Surroin, ky moment ishte shumë i rëndësishëm, pasi ai dhe delegacioni kosovar kishin hartuar një formulim që do të garantojë referendumin përfundimtar të Kosovës pas një periudhe të administratës ndërkombëtare, duke krijuar një mundësi që populli i Kosovës të vendosë për të ardhmen e tij. Kjo ishte një mundësi për të siguruar që një ditë, pavarësia e Kosovës do të ishte e mundur.
“Ne e nënshkruam marrëveshjen me një formulim të tillë, duke e ruajtur mundësinë që Kosova të merrte një vendim të lirë për të ardhmen e saj. Ishte një lëvizje taktike e domosdoshme, sepse e dinim që e ardhmja e Kosovës nuk do të varet nga nënshkrimi i një marrëveshjeje, por nga fuqia e popullit për të realizuar atë që kishte vendosur”, ka thënë Surroi gjatë bisedës.
Një moment tjetër kyç që Surroi ndau ishte kundërshtimi i disa prej anëtarëve të delegacionit kosovar ndaj formulimit që kishte përmbajtur kërkesën për një referendum. Sipas Surroit, figura si Hashim Thaçi ishin skeptik dhe kishin dyshime për nënshkrimin e marrëveshjes. Megjithatë, një marrëveshje u arrit dhe ajo u nënshkrua, por me një formulim që e shpallte njëkohësisht si një marrëveshje të përkrahur nga Kosova, përkundër refuzimit të Serbisë.
Marrëveshja e Rambouilletit nuk do të kalonte pa sfida. Pas nënshkrimit, Serbia refuzoi të pranonte dhe tensionet u rritën. Megjithatë, ajo shërbeu si një hap i rëndësishëm për proceset ndërkombëtare që pasuan, përfshirë ndërhyrjen ushtarake të NATO-s dhe miratimin e Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara, që i dha hapësirë për zhvillimin e një administrate ndërkombëtare dhe përgatitjen e Kosovës për pavarësinë e saj.
“Ky dokument i nënshkruar në Rambouillet u përdor si baza legale për ndërhyrjen e NATO-s dhe për zhvillimin e proceseve që pasuan, duke përfshirë Rezolutën 1244 dhe Konferencën e Vjenës që sollën një zgjidhje përfundimtare për Kosovën”, deklaroi Surroi.
Vllasi rrëfen bisedën e fundit me Millosheviqin
Në një bashkëbisedime në podcastin “PIKË” me Veton Surroin, politikani shumëvjeçar Azem Vllasi ka zbuluar bisedën e tij të fundit me kriminelin e luftës Slobodan Millosheviqin, një moment kyç nga periudha kritike e vitit 1990, kur Kosova ishte nën presionin e regjimit të Beogradit.
Vllasi ka rrëfyer se, pas një periudhe të gjatë tensioni dhe masave represive, ai u thirr nga Millosheviqi për një takim të rëndësishëm. Millosheviqi, që në atë kohë po përpiqej të kontrollonte plotësisht situatën në Kosovë, i kishte kërkuar Vllasit të ndërhynte për të ndaluar grevën e minatorëve të Stantërgut, e cila kishte shpërthyer si një akt i madhe revoltë kundër regjimit. Sidoqoftë, Vllasi ka shpjeguar se, përkundër autoritetit të tij në Kosovë, ai nuk kishte mundësi të ndikonte më në zhvillimet që po ndodhnin, pasi regjimi jugosllav kishte shpërbërë çdo mundësi të dialogut dhe ishte fokusuar vetëm në mbajtjen e pushtetit përmes dhunës dhe kërcënimeve.
Vllasi ka theksuar se Millosheviqi, në atë bisedë të fundit, i kishte kërkuar të pranonte disa kërkesa të diktuara nga Beogradi, përfshirë dorëheqjen e figurave të caktuara të opozitës dhe ndërprerjen e çdo forme rezistence. Por, për Vllasin, kjo ishte një thirrje bosh, pasi ai e dinte se çdo vendim i tij do të ishte pa ndikim në një sistem që tashmë po kontrollonte çdo aspekt të jetës në Kosovë.
“Millosheviqi donte të ma mbyllte gojën me fjalë të bukura, por e dija se nuk kishte vend për asnjë lloj kompromisi. Ky ishte regjim që kërkonte të shkatërronte çdo liri dhe autonomi për shqiptarët e Kosovës”, shpjegoi Vllasi gjatë bisedës.
Gjatë intervistës, Vllasi po ashtu ka shpalosur një tjetër moment dramatik, kur Millosheviqi, pas takimit, e kishte kërcënuar hapur me arrestim dhe burgosje. Kjo, sipas tij, ishte një përpjekje e dështuar për të frikësuar opozitën dhe për të ruajtur kontrollin absolut mbi Kosovën, duke shpërfillur çdo mundësi dialogu.