Arbëri

Avokati Jashari: Strategjia e mbrojtjes në Speciale është në rrugë të mirë

Avokati Arbër Jashari ka vlerësuar se dëshmitë e para të mbrojtjes në procesin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Gjykatën Speciale janë konsistente dhe përputhen me njëra-tjetrën, duke e cilësuar këtë si një strategji të suksesshme të mbrojtjes.

“Ka konsistencë në atë që thonë dëshmitarëve, ka lidhshmëri mes tyre. Deri më tash nuk kam parë diçka kontradiktore. Të tri dëshmitë përputhen dhe flasin për dy ngjarje të rëndësishme: Konferencën e Rambujesë dhe procesin e demilitarizimit të UÇK-së”, ka thënë Jashari në “60 Minuta” të KTV-së.

Sipas tij, këto ngjarje shpjegojnë më së miri strukturën komanduese të UÇK-së dhe përgjegjësitë e saj, çështje që janë në qendër të aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Avokati theksoi se dëshmitarët janë pyetur fillimisht nga mbrojtja, e cila ka qenë e qartë se çfarë priste prej tyre.

“Për mua e ty ndoshta është befasi, por për mbrojtjen jo. Kjo është rruga që e kanë zgjedhur për ta sfiduar Prokurorinë”, u shpreh ai.

Duke folur për hapat e ardhshëm, Jashari ka thënë se priten dëshmi të tjera, kryesisht nga ndërkombëtarë që janë palë të treta dhe, sipas tij, “nuk kanë arsye të gënjejnë” duke qenë se janë objektivë.

“Dëshmitë e tyre duhet të vlerësohen lart nga trupi gjykues. Janë në favor të drejtësisë dhe të vërtetës objektive – që këta njerëz (që po akuzohen v.j.) nuk kanë përgjegjësi për atë që ka ndodhur në tërë Kosovën”, shtoi ai.

Deri më tani, në favor të mbrojtjes kanë dëshmuar James Rubin, ish-ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, Paul Williams, këshilltar ligjor i delegacionit kosovar në Rambuje, dhe diplomati britanik John Duncan.