Avokati i Popullit ka thënë se nevojitet një reagim serioz dhe i koordinuar nga ana e qeverisë dhe autoriteteve të përfshira, për të garantuar transparencë, llogaridhënie dhe zgjidhje të qëndrueshme lidhur me çështjen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike nga ZRRE-ja.
Ky institucion ka kërkuar pezullimin e zbatimit të vendimit deri në përfundimin e hetimeve dhe shqyrtimin e të gjitha aspekteve ligjore, sociale dhe ekonomike që lidhen me këtë çështje.
Përmes opinionit adresuar Qeverisë në detyrë, Avokati i Popullit ka vlerësuar se rritja për 16.1% e tarifave për energjinë elektrike ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës, duke rënduar veçanërisht situatën e konsumatorëve në nevojë dhe të familjeve që përfitojnë asistencë sociale.
Ndërkohë, ka shprehur shqetësim për mungesën e bashkërendimit ndërinstitucional dhe mosrespektimin e dispozitave të nenit 49 të Ligjit për Energjinë Elektrike, i cili kërkon konsultim ndërmjet ZRRE-së dhe institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve në nevojë.
Institucioni i Avokatit të Popullit ka vlerësuar se Qeveria ka obligim të veprojë në përputhje me dispozitat e Ligjit për Energjinë Elektrike, në mënyrë që vendimet e tilla të ZRRE, të përcillen me masa përmes të cilave do mbrohen të drejtat e konsumatorëve në nevojë dhe kategoritë e tjera të cenueshme.
“E po ashtu të ndërmarrin masa konkrete me qëllim të krijimit e kushteve të përballueshme edhe për komunitetin e biznesit, duke krijuar kushte të përshtatshme për liberalizim të tregut me kushte të favorshme, si dhe duke marr masa me qëllim që të shmangët krijimi i monopolit”, thuhet në opinion.
Gjithashtu, vlerëson se mungesa e institucioneve të konstituuara në kohën e marrjes së vendimeve ka pamundësuar proces të balancuar dhe të përgjegjshëm.
“Vendimet e marra në mungesë të kapaciteteve të plota institucionale mund të sjellin pasoja të pariparueshme për qytetarët dhe nuk i shërbejnë interesit publik. Në këtë kontekst, është e domosdoshme të theksohet përgjegjësia që bie mbi qeverinë dhe institucionet përkatëse, të cilat kanë për detyrë të garantojnë një proces të rregullt, të drejtë dhe transparent në menaxhimin e kësaj çështjeje. Mungesa e transparencës gjatë procesit ka kontribuar në rritjen e mosbesimit publik, ndërsa shqetësimet e ngritura nga qytetarët kanë mbetur pa përgjigje adekuate, duke thelluar ndjenjën e papërgjegjshmërisë institucionale”.
Avokati i Popullit thekson se nëse nuk merren masa të menjëhershme dhe konkrete për të përmbushur detyrimet ligjore ndaj qytetarëve, situata mund të marrë përmasa shqetësuese.