LAJMET E MBRËMJES

Avokati i Popullit: Shtrenjtimi i rrymës cenon të drejtat themelore të njeriut

Avokati i Popullit ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji pezullimin e vendimit për shtrenjtim të rrymës prej 16.1 për qind, deri në përfundim të hetimeve mbi ankesat që ka pranuar. Sipas këtij institucioni, vendimi cenon të drejtat themelore të njeriut. E, në ZRRE thanë se për kërkesën do të deklarohen pasi ta shqyrtojnë atë

Një ditë para hyrjes në fuqi të vendimit për shtrenjtim të rrymës prej 16.1 për qind, Avokati i Popullit ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të pezullojë atë deri në përfundim të hetimeve mbi ankesat e shumta të qytetarëve që ka pranuar ky institucion.

Sipas Avokatit të Popullit, vendimi për rritjen e tarifave është marrë në kohën kur ka boshllëk institucional. 

“Avokati i Popullit vë në pah mungesën e koordinimit institucional dhe nënvizon se këto vendime janë marrë në një moment boshllëku institucional – pa Kuvend të konstituuar dhe pa Qeveri të mandatuar, gjë që ka ndikuar në mungesën e debatit të nevojshëm publik dhe institucional për çështje që janë me rëndësi jetike për qytetarët”, thuhet në kërkesën e Avokatit të Popullit.

Ky institucion ka rikujtuar se Qeveria, në përputhje me Ligjin për Energjinë Elektrike, mban përgjegjësi për garantimin e interesit publik, sigurimin e qasjes së barabartë dhe përfshirjen sociale në politikat energjetike.

E, në ZRRE konfirmuan për KOHËN pranimin e kërkesës së Avokatit të Popullit dhe thanë se do të deklarohen për të pasi ta shqyrtojnë.

ZRRE-ja më 16 prill ka marrë vendim për rritjen e çmimit të energjisë për 16.1 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Tarifa e lartë për konsumatorët shtëpiakë, të cilët shpenzojnë më pak se 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj, është rritur nga 7.79 centë në 9.05 centë për kilovat, ndërsa ajo e ulët nga 3.34 centë, është bërë 3.88 centë për kilovat.

E për konsumatorët të cilët shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë në muaj tarifa e lartë është rritur nga 13.29 në 15.43 centë, ndërsa ajo e ulëta nga 6.27 në 7.28 centë.

Avokati i Popullit ka vlerësuar se vendimet që prekin mirëqenien e qytetarëve duhet të jenë gjithëpërfshirëse, të bazuara në analizë të thelluar sociale dhe të ndërmerren vetëm në kohën kur institucionet janë funksionale dhe të koordinuara për të mbrojtur interesin e përgjithshëm shoqëror.
Ky institucion ka konstatuar se vendimi prek të drejtat themelore të njeriut.

“Avokati i Popullit thekson se vendimi për rritjen e tarifave ka ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat themelore të njeriut, duke rënduar veçanërisht grupet më të cenueshme dhe familjet në asistencë sociale. Kjo situatë ngre shqetësime serioze për përballueshmërinë ekonomike të qytetarëve dhe qasjen e barabartë në shërbimet bazë”, thuhet në kërkesën e Avokatit të Popullit.

Vendimi për ngritjen e çmimit të energjisë është kundërshtuar nga qytetarët përmes disa protestave të organizuara nga nisma “Asnjë centë më shumë”. Kundër vendimit janë shprehur edhe partitë opozitare, të cilat kanë paralajmëruar se do të iniciojnë shkarkimin e Bordit të ZRRE-së posa të konstituohet Kuvendi. Ndërkaq deri tash janë paralajmëruar edhe dy padi ndaj ZRRE-së.