Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës të enjten ka njoftuar se ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve në vend, duke përfshirë tregtimin me shumicë dhe me pakicë, me fokus të veçantë te çmimet e naftës dhe benzinës në pikat e shitjes.
Sipas njoftimit, të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtari në tregtimin e karburanteve në Kosovë janë aktualisht nën monitorim.
Autoriteti thekson se përmes këtij procesi synon të sigurojë mbrojtje nga marrëveshjet e ndaluara, abuzimi me pozitën dominuese dhe praktikat e bashkërenduara ndërmjet kompanive që operojnë në këtë treg.
“Çdo marrëveshje, bashkërendim apo veprim i njëanshëm ndërmjet bizneseve që ka për qëllim ose efekt rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut apo kufizimin e konkurrencës përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe është subjekt i sanksioneve ligjore”, thuhet në njoftim.
Sipas Autoritetit, çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen vazhdimisht, duke reflektuar faktorë të ndryshëm si oferta dhe kërkesa, kostot e përpunimit dhe zhvillimet ekonomike e gjeopolitike. Për këtë arsye, pritet që edhe luhatjet e çmimeve në tregun vendor të pasqyrojnë ndryshimet në tregjet ndërkombëtare.
Institucioni u ka bërë thirrje bizneseve që të veprojnë në përputhje me parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme, të shmangin çdo formë të bashkërendimit të çmimeve me operatorë të tjerë dhe të tregojnë përgjegjësi sociale ndaj qytetarëve dhe konsumatorëve.
Edhe
Autoriteti i Konkurrencës s’ka vërejtje për abuzim me çmimet e karburanteve
Autoriteti i Konkurrencës ka bërë të ditur gjithashtu se procesi i monitorimit po zhvillohet në koordinim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Administratën Tatimore e Kosovës dhe Doganën e Kosovës, me qëllim të sigurimit të respektimit të legjislacionit në fuqi dhe të rregullave të tregut në vend.
Gjatë ditës së djeshme, KOHA ka raportuar se brenda 48 orësh çmimi i një litre nafte është rritur për më shumë se 20 centë në Kosovë, pavarësisht se çmimi i importit të kësaj lënde, sipas Doganës, ka pësuar rritje prej vetëm 1.5 cent për litër.
-
Hetimi i çmimeve të karburanteve sot në “60 Minuta” me Autoritetin e Konkurrencës
-
Frenohet shtrenjtimi i mëtejmë i naftës, pasi për 48 orë çmimi për litër u rrit mbi 20 centë
-
Tregtarët e shtrenjtuan litrin e naftës për mbi 20 centë, teksa e importuan vetëm 1.5 cent më shtrenjtë
-
Pas rritjes së çmimit, Autoriteti i Konkurrencës po monitoron kompaninë që shet pelet në Kosovë