Arbëri

Asfaltimi i rrugës në Lipjan, peng i kontestit me Hekurudhat e Kosovës

Prej më shumë se një viti po zvarritet projekti për asfaltimin e rrugës “Bejtush Gerbeshi” në Lipjan, shkaku i kontestit pronësor ndërmjet Komunës dhe Hekurudhave të Kosovës.

Për asfaltimin e kësaj rruge disa kilometërshe përgjatë hekurudhës në Lipjan, institucionet komunale disa herë kanë kërkuar një pëlqim dhe marrëveshje nga Infrakos-i, mirëpo deri tashti nuk është realizuar një gjë e tillë, shkruan sot Koha Ditore.

Në anën tjetër, Ministria e Infrastrukturës për asfaltimin e kësaj rruge e ka mbështetur Komunën me rreth 300 mijë euro derisa në këtë lagje jetojnë afro 50 familje. Rreth kësaj çështjeje është debatuar mjaft gjatë edhe në mbledhjen e fundit të KK-së në Lipjan, derisa këshilltarët kanë akuzuar Komunën dhe Infrakos-in për mosangazhim në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

Në Komunën e Lipjanit kanë thënë se janë të gatshëm t’i shqyrtojnë kërkesat e qytetarëve ashtu siç janë realizuar qindra projekte të tilla, mirëpo në këtë rast kanë hasur në pengesa nga Hekurudhat e Kosovës.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")