Arbëri

Asamblistët “pishmanlinj” të kryeqytetit – një herë me opozitën e pastaj me pushtetin

Kuvendi Komunal i Prishtinës e ka shkarkuar kryesuesin, por nuk e ka zëvendësuar. Burime të KOHËS kanë treguar se PDK-ja kërkon ta ketë kryesuesin, të cilin deri tash e kishte LDK-ja. Këtë e ka konfirmuar edhe Leutrim Retkoceri, shef i grupit të këshilltarëve komunalë të kësaj partie

Berna Saraçi, Sami Borovci dhe Endrit Zabërgja janë këshilltarët komunalë që ua kanë kthyer pushtetin PDK-së e LDK-së, kur u mor vendimi në Kuvendin komunal për shkarkimin e aksionarëve të ndërmarrjeve publike.

Më 8 qershor ata votuan për shkarkimin.

“Për parregullsitë, shkeljet dhe thyerjen e ligjit në ndërmarrjet publike në Prishtinë dhe me politizimin e tejskajshëm të të gjitha ndërmarrjeve dhe mosraportimin e rregullt, e me ankesat e vazhdueshme të qytetarëve, konsiderojmë që është momenti i fundit të reagojmë ndaj manipulimeve. Andaj, propozojmë që të bëhet shkarkimi të gjithë anëtarëve të komisionit të aksionarëve në 10 ndërmarrjet publike të Prishtinës të votuar më 18 mars 2021”, pati thënë Zabërgja, këshilltar komunal i Nismës Socialdemokrate.

Por, ai i ka rënë pishman.

Dy javë më vonë mori këshilla e instruksione nga Vllaznim Osmani, shef i kabinetit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, si dhe nga Leutrim Retkoceri i PDK-së.

Sami Boroci u caktua aksionar i opozitës në Termokos dhe në seancën e fundit votoi për shkarkim të vetes dhe aksionarëve të tjerë duke qëndruar në seancë me pushtetin, derisa bashkëpartiaku i tij, Gëzim Mehmeti, doli nga salla me pjesën tjetër të opozitës si, LVV e AAK.

E asamblistja Berna Saraçi të enjten ndërroi edhe ulësen për t’iu bashkuar bashkëpartiakëve të rinj nga PDK-ja.

Këta këshilltarë komunalë plotësuan kërkesën e pushtetit për të shkarkuar kryesuesin Fehmi Kupina, i cili në fillim të seancës ishte prezent e më pas e lëshoi sallën, pasi nuk u lejua që ta marrë fjalën nga pushteti lokal.

Për këtë të fundit u votua dy herë. Një herë votim i hapur e një herë i fshehtë.

“Në emër të komisionit për mbarëvajtje të votimit për shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit, Fehmi Kupina, konstatojmë se kanë marrë pjesë 28 këshilltarë komunalë, prej tyre 27 janë për, një kundër dhe asnjë abstenim. Me këtë konstatojmë se miratohet vendimi për shkarkimin e kryesuesit z. Fehmi Kupina”, ka thënë Sami Salihu, këshilltar komunal, LDK-së.

Por Kupina nuk u zëvendësua. KOHA merr vesh që PDK-ja kërkon ta ketë kryesuesin, të cilin deri tash e kishte LDK-ja.

Leutrim Retkoceri, shef i grupit të këshilltarëve komunalë të kësaj partie, ka thënë se ende nuk e kanë një emër dhe se janë në bisedime me partnerin e koalicionit.

Opozita, e cila e humbi betejën për ndërmarrjet publike, e nisi seancën me paralajmërimin për ngritje padie ndaj kryetarit Rama.

“E denoncojmë publikisht Përparim Ramën për thyerje të ligjit sa u përket ndërmarrjeve publike. Më ky kuvend nuk do të funksionojë siç ka funksionuar më parë, sepse do të ketë bllokadë. Nuk e di pse ka asamblistë kur kryetari mundet me i blloku vendimet e kuvendit. Përparim Rama ka qenë pro shkarkimit të ndërmarrjeve publike, sepse bashkë kemi biseduar për këtë gjë kurse pas seancës së 8 qershorit po e bllokon procesin. Ky është Përparimi juaj, këtu nuk përfundon beteja, do të vazhdojë”, ka thënë Gëzim Sveçla, këshilltar komunal i LVV-së.

E më i ashpër me kryetarin Përparim Rama u tregua Bahri Gashi nga AAK-ja, duke e vlerësuar lart qëndrimin stoik të opozitës karshi presionit që i është bërë sipas tij, nga pushteti.

“I përshëndes matrapazët, ‘tugjarët’ dhe sekserët e këtyre ditëve që janë këtu dhe jashtë. I falënderoj kolegët e mi për qëndrimin dinjitoz karshi presionit, sulmit dhe pazareve të pista nga ana juaj. Ky mandat ka filluar me gënjeshtra dhe mashtrime nga Përparim Rama duke fituar vota me propagandë. Ju u munduat që ta sulmoni edhe kryesuesin, madje edhe e linçuat. Vendimet e 8 qershorit nuk u respektuan nga Përparim Rama dhe rrethi i tij i sekserëve. Të njëjtët e filluan një fushatë të ashpër ndaj opozitës duke iu ofruar pozita dhe poste marramendëse”, ka thënë Gashi.

E kur Rama u mundua të arsyetohet, u pengua nga opozita duke bërë zhurmë , të cilët më pas e lëshuan edhe sallën.

Tek në fund, Kuvendi Komunal ka vazhduar me pikat e rregullta të rendit të ditës, të cilat i miratoi pa fjalë e zhurmë.