Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Arta Marku: Luftimi i terrorizmit kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm rajonal

Tiranë, 24 qershor - Shqipëria ka marrë masat e saj ligjore e teknike për të goditur këdo që synon të bashkohet me terroristët ose që rekruton luftëtarë kundër njerëzve të pafajshëm.

Kështu theksoi prokurorja e përgjithshme e Shqipërisë, Arta Marka, në Konferencën treditore të kryetarëve të gjykatave supreme dhe prokurorëve të rajonit, që po zhvillohet në Mal të Zi.

Duke folur mbi mbrojtjen penale juridike dhe mekanizmat e luftës kundër terrorizmit dhe migracioneve të paligjshme, Marku u shpreh se “në Shqipëri, nga hetimet e deritanishme, rezulton se personat që i janë bashkuar këtyre formacioneve janë persona me nivel të ulët arsimor dhe vështirësi të mëdha ekonomike. Pra, janë njerëz, të cilët besojnë se duke u bashkuar me terrorin, mund të jetojnë më mirë”.

“Në vende të ndryshme ka arsye të ndryshme se përse individët i bashkohen grupeve të terrorit. Pavarësisht arsyeve, sapo këta individë bashkohen me terroristët, kanë një të përbashkët të frikshme, nga ai moment kthehen në vrasës potencialë”-, u shpreh Marku.

Megjithatë, vijoi ajo, vlen të theksohet e ritheksohet se këto fenomene nuk luftohen nëse shtetet nuk bashkëpunojnë me njëri tjetrin.

“Bashkëpunimi duhet të jetë shumë i gjerë dhe jo vetëm për hetimin e çështjeve. Bashkëpunimi duhet të jetë i hershëm, i vazhdueshëm, me një shkëmbim intensiv informacionesh”-, përfundoi Marku/ATSH.