Arbëri

Arsim Elezaj u bë drejtor i Klinikës së ORL-së, pa marrë epilog akuza për kërkim ryshfeti

QKUK-ja nuk i ka dhënë përgjigje ankesës së një qytetari që pretendon se një mjek i kërkoi 600 euro ryshfet në emër të kolegëve, për t’ia përshpejtuar terminin për operimin e fëmijës. Mjeku në të cilin u ankua në dhjetor të 2024-s është zgjedhur drejtor i Klinikës së ORL-së. Prokuroria tek në korrik ka nisur hetimet e SHSKUK-ja ka mohuar të ketë marrë ankesë ndonjëherë

Arsim Elezaj është zgjedhur drejtor i Klinikës së Otorinolaringologjisë që funksionon në kuadër të Qendrës Klinike Universitare (QKU), në kohën kur nuk ka marrë epilog ankesa e një qytetari që e akuzon se i ka kërkuar 600 euro për të përshpejtuar operacionin për fëmijën e tij.

Deklarata në dorëshkrim, të cilën e ka siguruar KOHA, është dorëzuar në dhjetor të 2024-s, ndërsa tek muajin kur është realizuar procesi i zgjedhjes së drejtorit është aktivizuar Prokuroria në Prishtinë.

Prindi i fëmijës pretendon se Elezaj i kërkoi para në ordinancën e tij private, në emër të kolegëve të tij që duhej të ishin pjesë e ekipit për ta kryer operimin në klinikën e QKUK-së.

“Sipas asaj që ndodhi atje, ai na kërkoi mjete monetare në emër të kolegëve (anesteziologëve dhe motrave të repartit) për përshpejtimin e terminit. Sipas tij, nuk thërrasin pa dhënë para. Kam dëshmi, përfshirë edhe SMS-at ku më ka bërë presion, si ‘A ke vendos për djalë?’, duke aluduar në shumën prej 600 eurosh. Pas këtyre bisedave i kam shkruar që kam vendosur të pres terminin e rregullt dhe nga ajo ditë nuk kam pasur më komunikim me të”, është shkruar në deklaratë.

Në të qytetari ka përshkruar edhe momentin kur me mjekun u takua në Klinikën e ORL-së, në ditën kur fëmija i tij kishte terminin për t’u operuar.

“Filloi acarimi i tij për faktin që kishte humbur mundësinë për të marrë ato para nga ne. Filloi të ofendonte kolegët dhe bojkotoi fëmijën tim. Iu afrova dhe i thashë: pse e bën këtë, pse kërkon para në emër të kolegëve duke gënjyer që ‘këtu nuk kryhet pa pare’, apo siç është në zhargon ‘pa jau pikë’? Ai përsëri e pohonte të njëjtën gjë. Më tha: ‘Pse, a nuk është kështu a?’”, është thënë në deklaratën e prindit të fëmijës.

Në deklaratë ky qytetar ka kërkuar nga drejtuesit e Klinikës të ndërmarrin masa.

Ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së ORL-së, Arsim Behramaj, konfirmoi pranimin e deklaratës dhe tha se pas interesimit të palës ankuese e ka përcjellë në Drejtorinë qendrore.

Por, në SHSKUK mohuan pranimin e ankesës.

E, pavarësisht mungesës së masave nga SHSKUK-ja, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur muajin e shkuar hetimet për këtë rast.

“Më datën 15.7.2025 është pranuar nga Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, një rast që ka të bëjë me një vepër penale të dyshuar. Në këtë rast janë intervistuar ankuesi/dëshmitari A. G. dhe dy dëshmitarë të tjerë. Pritet që të ndërmerren edhe veprime të tjera hetimore. Për momentin nuk mund të japim më shumë detaje, sepse mund të dëmtohet integriteti i procedurës”, thuhet në përgjigjen që ka ofruar Prokuroria Themelore.

Drejtori Elezaj i ka mohuar akuzat, të cilat i ka cilësuar shpifje dhe ka kërkuar të mos i përmendej emri.

Ai ka refuzuar të flasë edhe rreth pretendimeve se i mungonte përvoja paraprake menaxheriale së paku tre vjet, që kërkohej në konkursin për drejtor të Klinikës së ORL-së.

Gjatë procesit të aplikimit për drejtor, Elezaj ka deklaruar përvojë menaxheriale në një poliklinikë private.

Por, një përgjigje e Departamentit për Cilësi, Siguri, Akreditim dhe Licencim, një kopje të së cilës e ka siguruar KOHA, thotë se Elezaj “nuk ka pasur pozita menaxheriale në asnjë klinikë private, por ka qenë vetëm punonjës”.

SHSKUK-ja nuk i është përgjigjur pyetjes se cilën pozitë menaxheriale ia ka njohur Elezajt, kur ka konsideruar se ai i plotëson kushtet për drejtor të ORL-së.