Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Arrestohet një serb, dyshohet për pjesëmarrje në masakrën e Dubravës

Përditësim, 18:00 - Prokuroria Speciale ka njoftuar se të dyshuarit për pjesëmarrje në vrasjen e të të burgosurve të Dubravës në maj të vitit 1999, i është caktuar një muaj paraburgim.

Është arrestuar një serb i dyshuar për pjesëmarrje në masakrën e Dubravës në maj 1999.

Policia ka njoftuar se ka zhvilluar hetime për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe ka pranuar informacionin për të dyshuarin.

Më 1 dhjetor i dyshuari është intervistuar dhe është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorisë Speciale.

“Policia e Kosovës, respektivisht Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim dhe me autorizim të Prokurorisë Speciale, ka zhvilluar hetime lidhur me krimet e kryera gjatë periudhës kohore të viteve 1998/99 në Kosovë, ku përmes rrugëve hetimore- operative ka pranuar informacion për një të dyshuar potencial si pjesëmarrës në këto krime, konkretisht në masakrën e Dubravës në maj 1999. Policia e Kosovës, me datën 01.12.2022, ka shoqëruar të dyshuarin mashkull kosovar serb, G. M. (1958) në Polici për intervistim dhe procedura të mëtejme. Në konsultim me prokurorin kompetent i dyshuari i lartcekur është intervistuar në prezencë të avokatit të tij të siguruar sipas detyrës zyrtare, nën dyshimin se i njëjti është përfshirë në veprën penale ‘krime lufte kundër popullsisë civile’”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërmjet datave 19 e 23 maj 1999, në burgun e Dubravës u krye masakër mbi të burgosurit shqiptarë nga forcat serbe.

Rreth 1.000 shqiptarë iu nënshtruan terrorit për këto katër ditë dhe 160 u vranë, kurse mbi 300 u plagosën.

Të burgosurit shqiptarë, shumica të arrestuar me arsyetimin se ishin pjesë e UÇK-së, u vranë nga rojet serbe të burgut, pasi paraprakisht NATO sulmoi ndërtesën e burgut.

Artikuj të ngjashëm