Arbëri

Arrestohet një i kërkuar për sulmin ndaj KFOR-it vjet në Zveçan

zveçan

Është arrestuar edhe një i dyshuar për përfshirje në sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në maj të vitit 2023 në Zveçan. 

I dyshuari po intervistohet në stacionin policor në jug, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani. 

“Sonte rreth orës 19:15 në pikën e kontrollit në Bistricë është ndalu një person L.D. që ishte në kërkim në lidhje me rastin e 29 Majit 2023 ku ishin lënduar 93 zyrtarë të KFOR-it. I njëjti është duke u intervistu në stacionin policor të jugut dhe pas intervistimit do të vendoset për hapat e mëtejmë”, ka thënë Elshani.

Me protestat e dhunshme në Zveçan vitin e kaluar u kundërshtua vendosja e kryetarit të komunës, Ilir Peci, në godinën komunale. Përveç në Zveçan, protesta pati edhe në Leposaviq e Zubin-Potok. Protestat përshkallëzuan pasi serbët më 29 maj sulmuan KFOR-in. Përveç KFOR-it, sulmuan edhe Policinë e Kosovës e gazetarët. 

Pas rasteve të dhunshme në veri, KFOR-i ka dislokuar rreth 1 mijë ushtarë shtesë e forca të blinduara.