Qëndrim Arifi, hulumtues në INPO, në “Express Intervistë” të KTV-së ka thënë se ideja e taksës për lëvizje në Prishtinë është e ngutshme, derisa ka theksuar se nuk mund të gjejë zbatim.
“E kemi parë mjaft me shqetësim deklarimet e Ahmetit, dhe ka pas reagime të shumta nga qytetarët. Kemi kërkuar edhe sqarim nga ai se çfarë ka menduar me këtë taksë. Gjithashtu ka ardhur edhe një sqarim nga ai, megjithatë vlerësojmë se ai duhet të risqarohet. Është e domosdoshme që Ahmeti të dalë para qytetarëve të shpjegojë këtë ide”, ka thënë Arifi. “Nga gjysmëshpjegimi i tij kemi kuptuar se bëhet fjalë për një pagesë për automjetet që futen në qendër të qytetit, mirëpo është shqetësuese për ne se kjo pagesë nuk shihet askund në planin e mobilitetit që Kuvendi komunal e ka miratuar vitin e kaluar”.
Pra, sipas Arifit, është një ide mjaft e çuditshme e cila nuk haset në dokumentin strategjik të Prishtinës. Për këtë, ka shtuar ai, nevojitet një risqarim i detajuar se nga e ka nxjerrë këtë ide.
“Kjo iniciativë është hapi i fundit që Komuna e Prishtinës duhet ta bëjë në kuadër të rregullimit të komunikacionit dhe të pështjellimit në qytet. Vlerësojmë se është rigoroze dhe tejet e ngutshme dhe është hapi i fundit që duhet ta ndërmarrë. Duhet të kemi kujdes në aspektin ligjor, pasi masa të tilla nuk mund të merren vetëm ndaj qytetarëve të Komunës së Prishtinës. Në momentin që kjo masë, po i referohem edhe deklaratës së Pacollit. Nëse është menduar siç ka thënë ai, atëherë definitivisht është në kundërshtim me ligjin. Është vendim diskriminues”, ka thënë Arifi.
Sipas tij kjo ide tani mund të gjejë implementim.
“Ky vendim është i ngutshëm dhe në këtë fazë nuk mund të gjejë implementim. Aq më pak siç është thënë në muajin nëntor (të merret vendimi) dhe të fillojë së zbatuari në janar. Pra, është hap i ngutshëm dhe nuk mund të gjejë zbatim sipas organizatës INPO. Sepse vetëm sa do ta prishë këtë gjendje ekzistuese që është e rënduar në komunikacion”, ka thënë Arifi. “Rregullorja për parkingje është votuar vitin e kaluar, dhe edhe kjo buron nga plani i mobilitetit”.
Sipas tij ka pasur shqetësime edhe në kohën kur ishte miratuar çmimet për parkingjet.
“Kemi pasur kërkesa të shumta, ankesa nga qytetarët për këtë çmim. Jemi pro zvogëlimit të qarkullimit të automjeteve në qendër. Ndërsa ideja që të ndalet komplet qarkullimi, të vendoset një tarifë shtesë, a jemi duke i diferencuar qytetarët. Përveç se hap i ngutshëm është jo mirë e menduar. Ideja ka qenë brilante që në çdo hyrje të vendosen parkingje të largëta në mënyrë që qytetarët t’i lënë automjetet aty dhe të joshen me mënyra të faturimit. Nëse vendosni ta lini makinën në parking atëherë me atë biletë mund ta shfrytëzoni transportin publik falas”, ka thënë Arifi.
Sipas tij Ahmeti ka bërë shumë pak në mirëfunksionimin e transportit publik, përveç 51 autobusëve të rinj Ahmeti ka dështuar të futë edhe ndërmarrjet e tjera private nën një ombrellë ashtu siç ka premtuar.
“Premtimi ishte që çdo biletë që paguan qytetari të njihet në tërë trafikun urban. Këtë nuk ka arritur ta bëjë. Ai ka bërë shumë pak për parkingje të reja”, ka thënë Arifi.
Sipas tij zgjidhja e vetme dhe urgjente e zvogëlimit të automjeteve në qendër të Prishtinës është krijimi i vendparkingjeve në pikat periferike të kryeqytetit.