Arbëri

Në seancë mungon Shaban Murseli, lexohet deklarata e tij e 2023-tës, kishte thënë se ndihet i rrezikuar

Naim Murseli

Në Prishtinë është duke u mbajtur seanca ndaj Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

Në sallë  mungon babai i Naimit, Shaban Murseli. 

"Dëshmitari Shaban Murseli të premten me datë 21.11.2025 në orën 14:30 e ka kontaktuar gjykatën përmes telefonit, numër që nuk është i Kosovës, është numër i Suedisë, që nuk mund të prezantojë në këtë shqyrtim gjyqësor", tha gjyqtarja Fatime Dermaku

Prokurorja propozoi që të lexohet si provë dëshmia e dëshmitarit Shaban Murselit, kjo u aprovua nga pala e dëmtuar, avokatët e të akuzuarve, si dhe nga vetë i akuzuari Naim Murseli

Këtë propozim e aprovoi edhe trupi gjykues dhe filloi me leximin e deklaratës së dëshmitarit Shaban Murseli.

Deklarata ishte dhënë nga Shaban Murseli në polici më 6 dhjetor 2023. 

Në dëshminë e dhënë më 6 dhjetor të vitit 2023, Shaban Murseli, kishte thënë se për rastin ishte njoftuar në ditën e vrasjes. 

“Më ka thirr djali i dytë Mërgimi e më pyeti ‘babë a ke fol me Naimin se po thonë se e kanë vra Lilin’, ndërsa unë jam shokuar nga ky lajm. E kam thirr bashkëshorten time dhe e kam pyetur se çka ka ndodh dhe i kam treguar, pastaj pas një kohe jemi takuar së bashku me bashkëshorten Sanijen, vëllain Asllanin dhe me bashkëshorten e tij Fatmiren, djalin Mërgimin ditën më 1.12.2023 në veturë ku kemi udhëtuar për Kosovë diku 40 orë dhe kemi arritur më 3.12.203 në orët e mëngjesit te Naimi ku kemi biseduar shumë gjatë me gjithë familjen”, ka thënë në dëshminë Murseli. 

Ai ka thënë se s’ka vërejtur asgjë të dyshimtë në familje. 

I pyetur nëse ka ndonjë dyshim që ka mundur të shtyrë Naimin drejt kryerjes së veprës, babai i Murselit ka thënë se nuk ka asnjë dyshim se çka ka mundur të ndodh. 

Ai kishte treguar se kishte kontaktuar vëllain e Liridonës për të marrë pjesë në varrim, por i ishte refuzuar kërkesa. 

Shaban Murseli kishte thënë se ndien rrezik për veten dhe familjarët. 

“Po, shumë, pasi që po dëgjojmë mjaft fjalë edhe nga dajat e Liridonës të cilët janë nga Tropoja, që kanë thënë se këtë punë e kryejmë ne”, tha Murseli në dëshmi. 

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023 në Prishtinë.