Pas gati një muaji qëndrim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, ka përfunduar ekzaminimi i Naim Murselit që akuzohet për planifikimin e vrasjes së Liridona Ademajt. Raporti që e ka siguruar KOHA, e rrëzon pretendimin e mbrojtjes se tek ai janë vërejtur çrregullime mendore
Nuk janë konstatuar çrregullime apo sëmundje mendore te Naim Murseli, i akuzuar për planifikimin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Instituti i Psikiatrisë Forenzike, ku i janë kryer ekzaminimet, e ka nxjerrë raportin në të cilin theksohet se nuk është evidentuar ndonjë çrregullim psikik.
“Gjatë intervistimit psikiatrik të strukturuar të Naim Murselit, gjatë kohës së qëndrimit i hospitalizuar me qëllim të ekspertimit, pamja e jashtme e tij ka qenë e rregullt, me qëndrim dhe sjellje normale, ekspresion adekuat të mimikës dhe motorikës, kontakti verbal vihet dhe mbahet dhe me raste edhe thellohet, përgjigjet në pyetjet e parashtruara. I vëmendshëm, me kujdes të shtuar dhe i gatshëm për bashkëpunim”, thuhet në raportin e Institutit të Psikiatrisë Forenzike.
Në raportin e siguruar nga KOHA thuhet se nuk është konstatuar se kur është kryer vepra ndaj ish-bashkëshortes, ka pasur ngecje mendore apo abuzim me substanca psikoaktive ose alkool.
“Në momentin e kryerjes së veprës për të cilën akuzohet, nuk është identifikuar ndonjë simptomatologji e nivelit patologjik, e cila do të mund të ndikonte në aftësinë e tij mendore për ta kuptuar rëndësinë e veprës, si dhe t’i kontrollojë veprimet e tij. Kjo është bazuar edhe në sjelljen e tij dhe dinamikën para, gjatë dhe pas veprës, për të cilën akuzohet”, thuhet më tej në raport.
Në raport, gjithashtu tregohet edhe për rastin se si ndodhi ngjarja në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-tës.
E, gjatë marrjes së anamnezës, Murseli ka deklaruar se ka qenë fëmijë i urtë, por ka përjetuar dhunë nga i ati, për të cilin ka thënë se disa herë e ka mbyllur në “shpajz” dhe si djali i parë në familje nuk ka qenë i privilegjuar.
Rezultatet e ekzaminimit psikiatrik të Murselit i mirëpriti familja e së ndjerës, Liridona Ademajt.
“Shpresojmë që gjykata do të vazhdojë të procedojë shpejt me rastin, ashtu siç ka bërë deri më tani. Ne duam drejtësi të shpejtë, profesionale, pa gabime dhe vendosmëri nga ana e Gjykatës që të mos lejojë që ky rast të zvarritet me vite”, ka thënë Leonard Ademaj, vëllai i së ndjerës Liridona Ademaj.
Pas përfundimit të ekzaminimit në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, nën përcjellje të policisë, i akuzuari Murseli është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë.
Kërkesën për ekzaminim psikiatrik, mbrojtja e Murselit e kishte justifikuar, duke thënë se klienti ka shpërfaqur gjendje psikiatrike të paqëndrueshme.
Ai dyshohet se e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për të përfituar financiarisht nga një sigurim jetësor në Suedi, në vlerë rreth 260 mijë euro. Sipas aktakuzës, Murseli e ka planifikuar vrasjen së bashku me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve, për kryerjen e krimit, ua ka premtuar një shumë prej 30 mijë eurosh.