Me urdhër të Gjykatës ka nisur të premten ekzaminimi psikiatrik i të akuzuarit për organizimin e vrasjes së Liridona Ademajt, Naim Murseli. Ai është shtruar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në QKUK dhe gjatë ditës është dërguar edhe në Klinikën e Neurologjisë. Familja e së ndjerës e ka pritur me frikë këtë zhvillim
Naim Murseli, i akuzuari kryesor për vrasjen e Liridona Ademajt, që prej shtatë ditësh është shtruar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Qendrën Klinike Universitare (QKUK).
Shpend Haxhibeqiri, drejtor i QKUK-së, ka thënë se Murseli do t’i nënshtrohet ekzaminimit psikiatrik dhe do të qëndrojë aty derisa stafi mjekësor ta vlerësojë të mjaftueshme praninë e tij.
Murseli është dërguar të premten në mëngjes nën përcjellje të Policisë në Klinikën e Neurologjisë, prej nga është kthyer sërish në institut.
Për transferimin e Murselit në Institutin e Psikiatrisë, avokatja e tij, Teuta Zhinipotoku, ka thënë se nuk është njoftuar zyrtarisht.
“Nëse z. Naim Murseli është transferuar në Institutin e Psikiatrisë apo në Klinikën e Neurologjisë, kjo do të ketë ndodhur si rezultat i kërkesës së paraqitur nga mbrojtja për vlerësimin e gjendjes së tij mendore dhe vetëm me aprovimin e Gjykatës. Deri më tani unë nuk jam zyrtarisht e njoftuar për një zhvillim të tillë, por çdo veprim i tillë do të duhej të ishte në kuadër të procedurës ligjore”, ka theksuar avokatja Zhinipotoku.
E në Gjykatën Themelore në Prishtinë kanë konfirmuar se e kanë urdhëruar këtë ekzaminim me kërkesë të mbrojtjes.
“Referuar kërkesës suaj për informata ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda më datë 4 qershor 2025 ka aprovuar kërkesën e mbrojtëses së të akuzuarit N.M. për lëshimin e urdhrit për ekzaminimin psikiatrik për të njëjtin. Më datë 9.6.2025 trupi gjykues në këtë çështje penale ka lëshuar urdhëresë, përmes së cilës është urdhëruar Instituti i Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë të bëjë ekzaminimin psikiatrik për të akuzuarin N.M.”, kanë thënë në Gjykatë.
Por familjarë të së ndjerës e kanë pritur me frikë këtë zhvillim.
Avokati Leutrim Syla, i cili e përfaqëson familjen Ademaj, ka bërë thirrje për ekzaminim të drejtë.
“Si përfaqësues i familjes shpreh në njërën anë shpresën që i gjithë ky proces të zhvillohet konform ligjit dhe të vendoset në mënyrë të drejtë dhe profesionale. Duke pasur parasysh që ka pasur çdoherë dyshime në këto institucione, kur është vendosur me ekzaminimet e ngjashme, familja shpreh shqetësimin dhe frikën mos do të ketë ndikime të mundshme në vendimmarrje që do të bëhet në përpilimin e raporteve dhe ekzaminimit psikiatrik. Jemi me shpresë që çdo gjë do të shkojë mirë”, ka theksuar ai.
Kërkesën për ekzaminim psikiatrik, avokatja e Murselit e ka justifikuar duke thënë se klienti i saj ka shpërfaqur gjendje psikiatrike të paqëndrueshme. Gjykata, e cila e ka miratuar kërkesën, ka vendosur që procesi të kryhet brenda 2 javësh.
Në seancën e shqyrtimit fillestar, por edhe në seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor, Murseli është deklaruar i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Sipas aktakuzës, Murseli dyshohet se e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për të përfituar financiarisht nga një sigurim jetësor në Suedi, në vlerë rreth 260 mijë euro. Sipas prokurorisë, vrasjen ai e ka planifikuar së bashku me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve ua ka premtuar një shumë prej 30 mijë eurosh për kryerjen e krimit.
Liridona Ademaj është vrarë në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, gjatë inskenimit të një grabitjeje.