Seanca e shqyrtimit gjyqësor për të akuzuarit Naim Murseli, Kushtrim Kokalla e Granit Plava që ishin paraparë të mbahen më 2 dhe 9 korrik, janë shtyrë meqë nuk ka përfunduar ende ekzaminimi psikiatrik për të akuzuarin Naim Murseli.
Lajmi për shtyrjen e seancave u konfirmua nga avokati i familjes së Liridona Ademajt.
Nga mesi i qershorit, Naim Murseli, i akuzuari kryesor për vrasjen e Liridona Ademajt, është shtruar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) për ekzaminim psikik, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kërkesën për ekzaminim psikiatrik, mbrojtja e Murselit e ka justifikuar duke thënë se klienti ka shpërfaqur gjendje psikiatrike të paqëndrueshme. Gjykata, e cila e ka miratuar kërkesën, ka vendosur që procesi të kryhet brenda 2 javësh.
Në seancën e shqyrtimit fillestar, por edhe në seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor, Murseli është deklaruar i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Sipas aktakuzës, Murseli dyshohet se e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për të përfituar financiarisht nga një sigurim jetësor në Suedi, në vlerë rreth 260 mijë euro. Sipas prokurorisë, vrasjen ai e ka planifikuar së bashku me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve ua ka premtuar një shumë prej 30 mijë eurosh për kryerjen e krimit.
Liridona Ademaj është vrarë në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht ishte raportuar se bëhet fjalë për një grabitje, e më pas Prokuroria bëri të ditur se është inskenim i një grabitjeje.