Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka takuar sot shefat dhe disa deputetë të PDK-së e LDK-së.
Në njoftimin për media të PDK-së, thuhet se “agjenda legjislative për këtë vit, reformat në sektorë të ndryshëm që ndërlidhen edhe me agjendën integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian, dialogu me Serbinë dhe tema të tjera u diskutuan sot në mes të kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe shefes e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova”.
Në këtë takim të pranishëm ishin edhe deputetët, Elmi Reçica, Blerta Deliu – Kodra dhe Sala Berisha – Shala.
“Krasniqi e njoftoi zonjën Apostolova edhe për qëndrimin e PDK-së pro dialogut me Serbinë, me synimin që të arrihet një marrëveshje ndërkombëtare obligative. Ai gjithashtu theksoi angazhimin e PDK-së për një konsensus të plotë të spektrit politik të Kosovës, rreth dialogut”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Gjithnjë sipas njoftimit, Krasniqi po ashtu foli edhe për përkushtimin e PDK-së në Kuvend që të ketë angazhim edhe më të madh në reforma të rëndësishme për vendin, si në sundimin e ligjit, ekonomi, arsim e fusha të tjera. Për këtë, theksoi Krasniqi do të ketë bashkëpunim të ngushtë edhe me Bashkimin Evropian dhe partnerë tjerë.

Ndërkohë, gjatë ditë, kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdulla Hoti së bashku me deputetët Lirije Kajtazi, Vjosa Osmani, Armend Zemaj dhe Driton Selmanaj kanë pritur në takim përfaqësuesen dhe shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ku është diskutuar për procesin e dialogut, reformat në administratën publike, edukimi, ndotjen e ajrit, reformat zgjedhore e të tjera.
Edhe
Krasniqi-Osmanit: PDK-ja nuk e voton asnjë mandatar të LVV-së
Sipas njoftimit, kryetari Hoti e njoftoi Apostolova për qëndrimet e Grupit Parlamentar të LDK-së lidhur me proceset nëpër të cilat po kalon vendi.
“Ai gjithashtu duke falënderuar BE-në për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin shtetit të Kosovës, e siguroi shefen e BE-së, se Grupi Parlamentar i LDK-së, sikurse në të kaluarën, do të mbështet ligjet që rrjedhin nga agjenda evropiane”.
Ndërsa, Apostolova falënderoi kryetarin Hoti dhe deputetët e Grupit Parlamentar të LDK-së për rolin konstruktiv në zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës, thuhet në njoftim.