Arbëri

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, në sirtar tash e dy vjet

Të dielën bëhen dy vjet prej kur Kosova ka aplikuar për t’u bërë shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Që nga dhjetori i 2022-tës, aplikacioni ka mbetur pa u shqyrtuar. E derisa në Qeveri presin lëvizje nga udhëheqësia e re evropiane, njohës të procesit të integrimit u shprehën skeptikë për këtë.

Në sirtar të Bashkimit Evropian tash e dy vjet ka mbetur aplikimi i Kosovës për anëtarësim në bllok.

Ai nuk është shqyrtuar qysh nga 15 dhjetori i 2022-tës, kur edhe është dorëzuar nga kryeministri Albin Kurti.

Në Qeveri shprehën bindjen se Kosova meriton marrjen e statusit të vendit kandidat dhe thanë se këtë do ta dëshmojnë me ta pranuar pyetësorin.

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, tha se pritet lëvizje nga udhëheqësia e re e BE-së.

“Ne qëndrojmë në pritje të pranimit të pyetësorit dhe vlerësimit në bazë të meritokracisë për avancimin në proces. Kosova e meriton marrjen e statusit të vendit kandidat, e këtë do ta dëshmojmë me të pranuar pyetësorin e plotësuar atë, sipas kritereve dhe afateve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian... Presim hapa konkretë me ardhjen e konstelacionit të ri në përbërjen e institucioneve në Bashkimin Evropian, dhe presidencën e ardhshme të Polonisë nga janari”, ka thënë Kadiu.

Në lidhje me aplikimin e Kosovës për anëtarësim, përgjigje nuk kanë kthyer të premten zyrtarë të Këshillit të Bashkimit Evropian.

E në Komisionin Evropian thanë se janë të gatshëm të hartojnë një opinion për këtë çështje, me t’u kërkuar një gjë e tillë nga Këshilli.

“Komisioni është i gatshëm të përgatisë një opinion për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE sapo të kërkohet nga Këshilli”, thuhet në përgjigje.

Por njohës të integrimit evropian u shprehën skeptikë për mundësinë e shqyrtimit të shpejtë e për përgjigje pozitive.

Profesori i shkencave politike, Afrim Hoti, thotë se pesë shtetet anëtare të BE-së të cilat ende nuk e njohin Kosovën, janë duke e mbajtur pezull aplikimin për anëtarësim.

“Në këtë dritë, unë besoj që edhe BE-ja e ka të paqartë vetvetiu se si duhet të procedohet më tutje për anëtarësimin apo për ta shqyrtuar aplikacionin  e Kosovës. Kosova gjithsesi se nuk duhet të rrijë duarkryq për faktin që duhet t’i qëndrojë mbrapa aplikimit të vet... Me fjalë të tjera, pa një njohje të plotë nga vendet anëtare të BE-së, jam shumë skeptik që aplikacioni i Kosovës do të shqyrtohet dhe të njëjtit t`i jepet përgjigje pozitive”, ka thënë Hoti.

Dorëzimi i aplikimit nga kryeministri Kurti i është bërë Çekisë, shtetit që në atë kohë ka kryesuar Presidencën e BE-së.

Nga janari, udhëheqjen e saj do ta marrë Polonia. Zyrtarë të këtij shteti nuk treguan se cila do të jetë qasja ndaj aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në BE.