Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e avokatit të ndihmësdrejtori të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë Igor Popoviq, Millosh Deleviq, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Popoviqit i është caktuar masa prej 30 ditësh paraburgim.
Popoviqi dyshohet për veprën penale “Nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.
Ai dyshohet se më 18 korrik në fshatin Hoçë të Madhe të Rahovecit, gjatë një fjalimi me serbët lokalë, e ka quajtur UÇK-në organizatë terroriste, ndërkohë e ka akuzuar edhe bashkësinë ndërkombëtare për siç ka thënë, heshtje ndaj autorëve të krimeve ndaj serbëve. nën dyshimin se mbajti fjalim kundër UÇK-së.
Popoviqi ishte arrestuar më 19 korrik në pikën kufitare me Serbinë, Bërnjak.
Siç raporton Betimi për Drejtësi, sipas vendimit të Apelit, shkalla e parë ka vepruar drejt kur ka caktuar paraburgimin, pasi që ekziston dyshimi i bazuar se Popoviq ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.
Apeli në vendim thekson se nga videoja shihet dhe dëgjohet teksa Popoviq mban fjalim në rajonin e Rahovecit, përmes të cilit mjaftueshëm krijohet dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale.
Sipas vendimit, Popoviq ka shtetësi të Serbisë dhe nëse mbrohet në liri, do të ishte i pakapshëm nga institucionet e Kosovës për faktin se Republika e Serbisë nuk bashkëpunon me Republikën e Kosovës.
Apeli i ka dhënë të drejtë shkallës së parë lidhur me vendimin për caktimin e paraburgimit, me arsyetimin se nuk mund të justifikohet asnjë masë më e butë sesa ajo e paraburgimit ndaj Popoviqit.