Arbëri

Ankesa për pritje deri në 10 orë në terminalin doganor në Han të Elezit

Për zhdoganim të mallrave në terminalin doganor në Han të Elezit, pritja shkon deri në 10 orë. Shkak i pritjeve të gjata vlerësohet funksionimi i terminalit me vetëm një korsi, meqë tjetra i takon një terminali privat. Zgjidhjen për këtë situatë nga Ministria e Infrastrukturës kanë thënë se do ta bëjnë mot me mjetet që i kanë pasur në dispozicion edhe sivjet

Për pritje të gjata në Terminalin Doganor në Han të Elezit ka disa ditë që po ankohen transportuesit e mallrave.

Shoferët e kamionëve që hyjnë nga Maqedonia e Veriut në Kosovë thonë se pritjet shkojnë deri në 10 orë.

“Qe 6 orë, 6 orë pritje, për çdo ditë deri në 9 orë 10 orë pritjet në këtë kufi”, ka thënë një nga shoferët e kamionëve i cili ka dashur të mbetet anonim.

“Pesë orë, kallaballëk kamionët dhe s’munden me i përballu, është shumë problem”, ka thënë shoferi, Mefail Bardhi.

“Prej dje në mëngjes kur kam hy në 12:30-13:0 këtu, dokumentet kur i kam marrë diku kah ora 16:30 – 17:00 në mbrëmje”, ka deklaruar shoferi Rrahim Sahiti.

Vështirësitë për kalim në këtë pikë kufitare vlerësohet se i ka shkaktuar funksionimi i vetëm një korsie, meqë tjetra i takon një terminali privat doganor.

Në Ministrinë e Infrastrukturës kanë thënë se zgjerimi i këtij terminali është përfshirë në planifikimet buxhetore për vitin 2023. Në përgjigjen e Ministrisë nuk jepen detaje se sa para janë ndarë dhe me sa korsi do të zgjerohet ky terminal.

“Gjatë këtij viti nuk ka pasur mundësi të fillohet me realizimin e projektit të zgjerimit të shtruarjes për Terminalin në Han të Elezit, për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore. Në kuadër të planifikimeve buxhetore për vitin 2023 do të përfshihen edhe projektet për ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore për terminale, duke përfshirë edhe Terminalin në Han të Elezit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

Për vitin e ardhshëm janë paraparë 6 milionë euro për renovimin e të gjitha terminaleve, e të cilat ishin të planifikuara edhe për këtë vit, por që nuk u shfrytëzuan.

Transportuesit e mallrave që kalojnë nga Terminali i Hanit të Elezit ankohen edhe për punën e ngadaltë të doganierëve kosovarë.

“Prej orës 9:30 po pres deri ora 13:00 tash, që po i bjen rreth 3 orë. Kjo s’është normale. Zgjohem në ora katër për me shku në Shkup me i ikë kësaj kolone. Çdo ditë bëjmë vërejtje te këta punoni, punoni. Një doganier maqedonas i përcjell diku për 10 minuta 50 kamionë”, ka thënë shoferi Blerim Veseli.

“Për në Kosovë me hi na bjen valla me prit a për Maqedoni jo shumë”, ka thënë një tjetër shofer, Adnan Hyseni.

Dogana e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS për këto ankesa dhe nëse ka mungesë stafi.