Për kalim kufiri në terminalin doganor në Han të Elezit, pritjet zgjasin deri në tetë orë. Kjo ua ka vështirësuar punën transportuesve të mallrave. Ata ankohen se shkak i pritjeve të gjata janë procedurat e ngadalshme nga Policia e Dogana, si dhe numri i vogël i korsive. E kësaj situate, Ministria e Infrastrukturës ka premtuar se do t’i gjejë zgjidhje, porse këtë do ta bëjë vitin tjetër
Transportuesit e mallrave që hyjnë nga Maqedonia në Kosovë tash e një kohë po përballen me pritje të gjata në Terminalin Doganor në Han të Elezit.
Fundi i javës në këtë pikë kufitare për ta është edhe më i vështirë.
Transportuesit e mallrave janë shprehur se pritjet gjatë ditëve të vikendit në këtë terminal doganor janë më të gjata dhe shkojnë deri në tetë orë.
Shoferët e kamionëve kanë thënë se pritja edhe gjatë ditëve të punës nuk dallon shumë me ato të vikendit. Ata thonë se vonesat po shkaktohen edhe shkaku i procedurave nga ana e policisë e doganës.
“5 orë, 6 orë deri në 8 orë kam pritur në këtë kufi. 8 orë. Kah maqedonasit asnjë kolonë nuk është ka kosovarët bëhet plot, plot mbushet. Hiç s’punojnë këta kah Kosova, shumë pak punojnë”, ka thënë transportuesi Valon Frangu.
“5 orë 6 orë. Qe dje djali ka pritur 5-6 orë pse me rrejt”, ka thënë Habi Troni.
Por, problemi më i madh, në fakt, në këtë pikëkalim kufitar është se funksionon me vetëm një korsi. Tjetra i takon një terminali privat doganor dhe për kalim nga ajo anë transportuesit, me apo pa ngarkesë të mallrave, detyrohen të paguajnë deri në 40 euro.
“Kjo trakë nuk funksionon, pak po kemi problem. Me punu të dy trakat e kemi shumë lehtë, por nuk e di çka u bë me Qeverinë nuk po munden me e zgjidh këtë problem”, ka thënë Troni.
“Po të ishte dyanëshe më shpejt shkon se ndryshe është veç me një anë. Kur punon veç një kufi dhe ndryshe është kur punojnë të dyja anët”, ka thënë Luan Meniqi.
Për t’i gjetur zgjidhje kësaj situate brenda këtij viti, në Ministrinë e Infrastrukturës kanë thënë se u mungojnë mjetet.
“Gjatë këtij viti nuk ka pasur mundësi të fillohet me realizimin e projektit të zgjerimit për Terminalin në Han të Elezit, për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore. Në kuadër të planifikimeve buxhetore për vitin 2023, do të përfshihen edhe projektet për ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore për terminale, duke përfshirë edhe terminalin në Han të Elezit”, ka thënë Ministria e Infrastrukturës.
Deri në mars të këtij viti, të dy korsitë të cilat përdoren për kalimin e transportuesve të mallrave kanë qenë në pronësi private.
Zhbllokimi i njërës korsi është bërë në mars të këtij viti nga MI-ja me një vendim të Qeverisë për shpronësim të pronave dhe kthimin e tyre nga AKP-ja në pronësi të shtetit. Por, me atë vendim nuk është arritur të shpronësohet edhe prona në të cilën është korsia tjetër, meqë ato parcela, kompania private që menaxhon me terminalin i kishte privatizuar kohë më parë nga AKP-ja dhe për tri nga to ka një vendim gjykate, që i jep të drejtë operatorit privat që ta bllokojë pronën e AKP-së.
Deri në zhbllokim të njërës korsi, kompania ua kishte imponuar transportuesve zhdoganimin e mallit në këtë terminal, por, edhe nëse nuk bëhej zhdoganimi aty, transportuesit ishin të detyruar t’ia paguajnë kompanisë 40 euro për të kaluar nga ajo zonë.