Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Analisti serb: Deklarata e Putinit i hap rrugë pavarësisë së veriut të Kosovës

Analisti politik serb, Dragomir Angjelkoviq, ka thënë se deklarata e presidentit të Rusisë, që u shpreh se Donetsku e Luhansku në Ukrainë kanë shpallur pavarësinë sipas analogjisë së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në rastin e Kosovës, i hap rrugë pavarësisë së veriut të Kosovës.

Në një takim me sekretarin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, Vladimir Putin ishte shprehur se GJND-ja me rastin e Kosovës ka krijuar precedent dhe bazuar në të kanë shpallur pavarësinë dy rajonet e Ukrainës.

Në Serbi deklarata ka nxitur reagimin e mediave nën kontrollin e presidentit Aleksandër Vuçiq, që e kanë cilësuar deklaratën “thikë pas shpine ndaj Serbisë”. Megjithatë, kahe tjetër i ka dhënë deklaratës Angjelkoviqi.

“Serbia ka adresuar një pyetje që s’ka qenë më e lumtura dhe mori një përgjigje se të gjitha territoret që sjellin deklaratën e pavarësisë, në një mënyrë që shpreh vullnetin e të gjithë qytetarëve, kanë të drejtë të bëjnë ashtu. Prandaj Putini s’bëri asgjë veçse e ka shprehur faktin që GJND-ja mori vendim në kërkesën e Serbisë, të cilin vendim nuk e pëlqejmë për momentin. Në anën tjetër, mund të jetë i dobishëm për ne. Pasi vendimi vlen për Kosovën, mund të vlejë edhe për veriun e Kosovës, ku serbët janë shumicë dhe ku mund të krijojnë të gjitha trupat institucionalë nëse vendosin ashtu. Po ashtu njëjtë edhe Republika Sërpska”, ka thënë Angjelkoviq për “Danas”.

Sipas tij, krejt varet nga guximi që ka Beogradi për të vepruar ashtu.

“Vendimi do të na lejonte të fokusoheshim në atë që është reale, veriu i Kosovës dhe Republika Sërpska. Tjetër çka është nëse Beogradi ka guximin për të vepruar. Prandaj, mendoj se deklarata e Putinit është në përputhje me realitetin dhe mund të na shërbejë të vihemi prapa interesave tanë”, ka thënë ai.

Edhe Mediat e Vuçiqit i shokon “njohja” e Kosovës nga Putini Arbëri Mediat e Vuçiqit i shokon “njohja” e Kosovës nga Putini

Angjelkoviq ka dalë kundër qëndrimeve në Serbi se me deklaratë Putini veçse e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Ai vetëm ka thënë se Perëndimi ka njohur pavarësinë e Kosovës në përputhje me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe ashtu e njeh ai Luhanskun dhe Donetskun. Një gjë tjetër do të ishte po që se Perëndimi vetë e njeh Luhanskun e Donetskun, në mënyrë që Rusia ta trajtojë Kosovën. Por për tani, kjo është e pamundur dhe sigurisht që s’ka ndryshim të qëndrimit të Rusisë deri në një njoftim tjetër. Dhe po që se ka shans që të ketë zgjidhje të përgjithshme, të njihen deklaratat që sollën Luhanskun, Donetskun e Kosovën, do të kemi dyert e hapura për ta bërë të njëjtën në veri të Kosovës dhe RS”, ka shtuar ai.