Arbëri

Analistët kërkojnë koalicion të fuqishëm për t’u bërë ballë zhvillimeve ndërkombëtare

Ftesa për koalicion qeverisës e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, drejtuar kryetarit të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, është duke u konsideruar e vonuar nga njohës të proceseve politike. Një qeverisje stabile me vota e përkrahje në Kuvend vlerësohet se është e nevojshme për shkak të zhvillimeve gjeopolitike

Një koalicion i gjerë mes partive politike, me forcë më të madhe të numrave në Kuvend, është duke u konsideruar i domosdoshëm për t`u bërë ballë zhvillimeve botërore.

Analisti Dritëro Arifi thekson se me ardhjen e presidentit Donald Trump ka ndryshuar gjeopolitika e në drejtim me to do të duhej të fokusoheshin edhe zhvillimet për bashkëpunime në Kosovë.

Kushdo që bashkon forcat për qeverisje, sipas Arifit, duhet t’u japë përgjigje disa pyetjeve.

“Çka duhet të bëjë me dialogun, si duhet të qasemi, cili është raporti jonë me BE-në, me SHBA-në pas ardhjes së Trumpit. Ka ndryshu gjithçka. Nuk po them do të riniset gjithçka nga fillimi por ne duhet të dimë se çfarë po dëshirojmë kur të flasim me ata, e ne problemin po e kemi që nuk e dimë saktësisht se cilat politika do t`i zhvillojmë në raport me kërkesa që mund të vijnë”, ka thënë Arifi.

Ftesë për koalicion qeverisës kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, të hënën i ka bërë kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, që në Kuvend përfaqësohet me 20 deputetë.

E sido që të jetë konstelacioni qeverisës, analisti Arifi thotë se ai do të ishte më i fuqishëm e më i gjatë nëse në krye të tij nuk do të ishte kryeministri në detyrë.

“Mendoj një koalicion të madh shqiptar, por me kryeministër apo kryeministre e cila nuk i ka hipotekat e së kaluarës dhe është më pragmatike në lëvizje dhe vizion. Edhe nëse nuk e kemi një koalicion të madh shqiptar ne nuk i kemi qartësu ato pikat kryesore për çka duhet të bëhet koalicion”, ka thënë ai.

Që nga certifikimi i rezultateve zgjedhore, më 27 mars, Vetëvendosje si partia e parë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk ka arritur që si e vetme, e madje as në bashkëpunim me pakicat joserbe, të sigurojë shumicën për konstituimin e Kuvendit.

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit ka dështuar të bëhet për të 11-n herë me radhë të hënën, derisa përmbyllja e këtij procesi hap rrugën për formimin e qeverisë së re.