Një tjetër thirrje ua ka bërë deputetëve ambasadori amerikan, Philip Kosnett, për të mos e çuar përpara Projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.
Në një shkrim të botuar në “Koha Ditore”, Kosnetti ka thënë se SHBA-ja nuk është kundër UÇK-së, por sipas tij, ky projektligj rrezikon lirinë e shprehjes dhe përpjekjet për të siguruar drejtësi.
Projektligji i iniciuar nga PDK-ja, që ishte në rendin e ditës për shqyrtim gjatë së premtes në Kuvend, përmban 12 nene. Si vlera aty përmenden lufta e armatosur, veteranët dhe elemente të tjera që lidhen me UÇK-në, raporton KOHA.
Neni 5 thotë se çdo zyrtar publik dhe qytetar i Kosovës detyrohet t’i respektojë dhe mbrojë vlerat e luftës të përcaktuara me këtë ligj në çdo kohë dhe çdo rrethanë brenda dhe jashtë vendit. Ky projektligj, e në veçanti neni 5 i tij, po konsiderohet si shembull i rrezikshëm për kufizimin e lirisë së shprehjes edhe nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.
Kurse, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë vlerëson se projektligji është i paqartë. Bekim Blakaj nga ky fond, ashtu sikurse ambasadori Kosnett, beson se projektligji do t’i frikësonte dëshmitarët se mund të dënoheshin për shkak të dëshmisë për krimet e supozuara të individëve të lidhur me UÇK-në.
Kurse, njohësit e Kushtetutës vlerësojnë se projektligji është në kundërshtim me aktin më të lartë juridik të shtetit.
Projektligji që ka marrë dritën e gjelbër të zyrës ligjore të Kuvendit parasheh themelimin e “Muzeut të Luftës”. Gjithashtu, ai kërkon edhe mbrojtje institucionale për veteranët në rast të arrestimit sipas fletarresteve ndërkombëtare të lëshuara nga Serbia.