Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se kanë miratuar Udhëzimin Administrativ përmes së cilit do të ketë kontrolle të rregullta në rrugë për mjetet që nuk i përmbushin kriteret e kontrollimit teknik.
Sipas tij, miratimi i Udhëzimit Administrativ është bërë pas një pune intensive.
“Pas një pune intenzive, miratuam Udhëzimin Administrativ për Kontrollin e Rregullsisë Teknike për Automjete në Rrugë. Tashmë ekipet mobile të angazhuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, do të jenë vazhdimisht në terren për kontrolla rutinore në komunikacion, për të eliminuar pjesëmarrjen e mjeteve motorike me defekte, përgjithësisht mjeteve motorike të cilët nuk i përmbushin kriteret e kontrollës teknike në komunikacion”, thuhet në njoftimin e Aliut.
Përmes këtij udhëzimi tejet të rëndësishëm e të domosdoshëm, sipas Aliut, që është punuar duke marrë parasysh praktikat më të mira të rajonit dhe BE-së, “do të kontribuojmë në përmirësimin e qarkullimit rrugor, shkarkimin e komunikacionit, sigurinë në trafik, por edhe në mbrojtjen e ajrit dhe mjedisit”.