Arbëri

Alijaj: Zgjedhjet e jashtëzakonshme, zgjidhje e vetme për ngërçin

Artan Alijaj, njohës i çështjeve politike, ka deklaruar se zgjidhja e vetme për të dalë nga ngërçi politik duket të jenë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Ai ka deklaruar të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së se meqë partitë s’kanë interesim që të bashkëqeverisin, duhet të ulen dhe të merren vesh për të shkuar në zgjedhje.

“Duke marrë parasysh pozicionin ku gjenden partitë, ne s’kemi asnjë zgjidhje, pos shkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme. Problem është edhe për të shkuar në zgjedhje pasi duhet të ketë themelim të Kuvendit dhe pastaj ai Kuvend të votojë mosbesimin apo të shkarkojë veten dhe të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Alija në emisionin “60 Minuta” të KTV-së.

Sipas njohësit të çështjeve politike, të gjitha partitë janë fajtore për këtë situatë, pasi tha se partitë nuk patën interesim që të ulen për të diskutuar një opsion për të gjetur zgjidhje.

Ai shtoi se Lëvizja Vetëvendosje s’po e ndërron kandidatin për kryetar të Kuvendit pasi “s’po mund ta ndërtojë Qeverinë”.

“Një prej arsyeve pse VV-ja insiston në një kandidat është kjo, fakti se s’mund të ndërtojë Qeveri me numrin që e ka aktualisht. Nëse Vetëvendosje s’i ka numrat, opozita do të kishte mundësinë të krijonte Qeverinë. Do të kishte interesim të kalohej ky ngërç, por kemi ngecur dhe është e mërzitshme shumë. Opozita mund t’i ketë numrat për Qeveri, por nëse Vetëvendosje thotë më provoni, s’keni nevojë ta provonim por ndërro kandidatin, zgjedh kryetarin e Kuvendit dhe bëjeni Qeverinë”, ka shtuar ai.

Alija ka theksuar se shkuarja në zgjedhje do të ndikonte në rënien e përkrahjes për të gjitha partitë, duke thënë se fajtorë janë të gjithë.

“Çdo parti do të kishte rënie pasi secila ka përgjegjësi në këtë mes. S’është fajtore vetëm Vetëvendosje për institimin për Albulena Haxhiun, pasi Vetëvendosje u ka bërë ftesë partive që të formojnë Qeveri. Por, kemi parë një LDK që ka qenë kundër çdo marrëveshjeje për Qeveri me VV. Kanë qenë kundër edhe për votim, pa marrë parasysh se cili kandidat është”, shtoi ai.

Alija ka thënë se me zgjedhje të jashtëzakonshme situata politike do të ndërronte.