Sipas aktakuzës, Burim Kelmendi gjatë viteve 2020 dhe 2021 në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar, dhe në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të KRM “Pastrimi”, ka tejkaluar kompetencat e tij duke mos respektuar procedurat ligjore të punësimit. Në dokument është përmendur se ai ka nënshkruar gjithsej 89 kontrata pune, përkatësisht 37 kontrata me afat të caktuar për kryerjen e punëve dhe detyrave specifike, ndërkohë personat e punësuar kanë mbuluar pozita të rregullta pune
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë të premten ndaj dy personave për keqpërdorim të pozitës dhe ushtrim të ndikimit. Njëri prej të akuzuarve është ish-kryeshefi i Kompanisë së Mbeturinave “Pastrimi”, Burim Kelmendi.
Sipas aktakuzës, Kelmendi gjatë viteve 2020 dhe 2021 në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar, dhe në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “KRM Pastrimi”, ka tejkaluar kompetencat e tij duke mos respektuar procedurat ligjore të punësimit.
“I njëjti ka nënshkruar gjithsej 89 kontrata pune, përkatësisht 37 kontrata me afat të caktuar për kryerjen e punëve dhe detyrave specifike gjatë viteve 2020 dhe 2021, ndërkohë personat e punësuar kanë mbuluar pozita të rregullta pune”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas organit të akuzës, këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim me nenin 8 të Ligjit të Punës, duke mos shpallur konkurs publik dhe duke vazhduar më pas kontrata në fjalë.
Prokuroria ka bërë të ditur se i pandehuri ka nxjerrë edhe aktvendime për avancimin e të punësuarve, duke mos respektuar procedurat përkatëse të avancimit.
Edhe
Memorandumi me “Pastrimin” i parapriu kontratës së jashtëligjshme të Komunës së Prishtinës me privatët
Me këto veprime, sipas aktakuzës, i është shkaktuar dëm buxhetit të ndërmarrjes në vlerë prej 114, 535.06 euro.
Ndërsa për të pandehurin me inicialet N. Rr. në aktakuzë thuhet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shuma të ndryshme parash lidhur me punësimin e disa personave.
“I pandehuri N. Rr. gjatë muajit mars 2021 në cilësinë e Koordinatorit në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave ‘Pastrimi’ në Prishtinë, në vazhdimësi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, dyshohet se ka kërkuar dhe ka marrë shumën prej 1.500 euro, nga të dëmtuarit J. D., M. D., A. B., G. B., dhe R. N., për punësimin e tyre duke premtuar se do të ushtronte ndikim të kundërligjshëm në vendimmarrjen e Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj kompanie”, ka bërë të ditur Prokuroria.
Sipas njoftimit, Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit në fuqi.
Bordi i Kompanisë, në një mbledhje të jashtëzakonshme, në 2022-n pati shkarkuar nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të kompanisë, Kelmendin. Sipas njoftimit të lëshuar atëkohë nga Komuna e Prishtinës, Bordi ka konstatuar se kryeshefi ekzekutiv nuk ka realizuar objektivat për rritjen e kapitalit të kompanisë, si objektiv bazë i përcaktuar me Plan Biznesin e aprovuar, dhe krejt kjo për shkak të keqmenaxhimit.
Edhe
Tenderi afro 400 mijë eurosh për kamionë në Ekoregjion, aktakuzë ndaj tre personave
“Është vërtetuar se ka pasur devijime ekstreme nga parashikimet e Planit të Biznesit, ka pasur mbipunësim të paarsyeshëm dhe në kundërshtim me fuqinë ekonomike të kompanisë, si dhe është praktikuar edhe nepotizëm. Kjo është konstatuar edhe në gjetjet e Zyres së Auditorit të jashtëm, e cila ka gjetur shumë shkelje të rënda për kompaninë, si pasojë e marrjes së vendimeve përtej kompetencave të Kryeshefit Ekzekutiv, pa aprovim nga Bordi i Drejtorëve”, është thënë në njoftim.
Paraprakisht, KOHA pati raportuar se KRM “Pastrimi” po rriste shpenzimet e brendshme me punësime të shpeshta, por linte bërllokun në kontejnerë shkaku i borxheve të veta.