Asociacioni i Komunave të Kosovës ka thënë të jetë i shqetësuar me gjuhën kërcënuese në rrjetet sociale të Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiut ndaj kryetarit të Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri.
“Sigurojmë Haxhiut që secili kryetar i Komunës, e edhe Xhafer Tahiri, si kryetar i Komunës së Vushtrrisë janë të gatshëm për bashkëpunim me nivelin qendror duke respektuar ligjin dhe ndarjen e kompetencave e përgjegjësive në mes të nivelit lokal dhe nivelit qendror. Sulmet në media ndaj Kryetarëve të zgjedhur të Komunave, pa i shterur të gjitha kanalet e brendshme të komunikimit zyrtarë janë të papranueshme dhe tentim për ushtrim të ndikimit” thuhet në një reagim të AKK-së.
Më tutje AKK thekson se pronat publike dhe ruajtja e saj janë shqetësim i secilit kryetar komune në Kosovë, pasi këto prona janë jetike për zhvillim të projekteve kapitale në Komunë për interes të përgjithshëm.
AKK e ka ftuar ministrin Haxhiu të tërheqë kërcënimin publik ndaj kryetarit të Komunës së Vushtrrisë Tahiri.
Dy ditë më parë pasi kreu i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se problemet në pronën “Vicianum” në këtë komunë janë krijuar nga Ministria e Drejtësisë, ministrja Albulena Haxhiu e ka akuzuar atë se nuk e ka lejuar inspektoratin të shkojë në vendin e ngjarjes, pasi kompania së cilës i është shkëputur kontrata rifilloi punimet.
Sipas saj, “Tahiri nuk ka lejuar inspektoriatin të shkojë në vendin e ngjarjes me arsyetimin se ‘ne i kemi dhënë leje kompanisë’, duke injoruar kështu Vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për shkëputje të kontratës i cili është mbi çfarëdo vendimi tjetër të Komunës”.
“Shpifjet e Xhafer Tahirit se kinse unë paskam refuzuar që pronën t'ia jap Komunës, shtojnë dyshimet që mosveprimi i tij është i qëllimshëm. Unë nuk kam mundur të ndërmarrë asnjë veprim sepse rasti është duke u trajtuar nga Gjykata.I bëj thirrje edhe njëherë që të mbrojë pronën publike dhe jo interesin privat” ka thënë Haxhiu.