Të martën do të prezantohet fushata “E drejta për ajër të pastër, vrasësi i padukshëm”, që synon ta ngrejë alarmin për ajrin e ndotur në kryeqytet. Arben Lila ka deklaruar të martën në SOT të KTV-së se organizata gjermane “Deutsche Umwelthilfe” po bën matjen e ndotjes së ajrit nëpërmjet lirimit të dyoksidit të azotit, nga veturat në Prishtinë.
“Dyoksidi i azotit lirohet për automjetet dhe kemi për bërë matje reale. Kemi ndotje të madhe nga ngrohja shtëpiake, por ndotje direkte nga automjetet. Kjo matje e dyoksidit të azotit do të bëhet gjatë një viti. Kur s’ka automjete ndotja është më e vogël”, ka deklaruar Lila.
Sipas tij, aparati i organizatës bën matje direkte të grimcave të azotit, e këto grimca, siç u shpreh Lila, ndikojnë në shëndet.
“Do të matim nëpër zona ku ka trafik më së shumti. Cilësia e ajrit ndërron edhe në bazë të motit. Gjatë nëntorit deri në mars, kur s’ka qarkullim të ajrit, ndotja e ajrit është e madhe, si në Kalkuta të Indisë apo në Shkup. Ne kemi naftën e dobët, infrastrukturën e dobët dhe shumë vetura të vjetra në treg”, ka deklaruar ai.
Lila ka thënë se ndër masat që duhet marrë është krijimi i një zone për veturat me emitim të ulët të gazrave.