Shpend Ahmeti, kryesues i Ekipit Negociator të Kosovës ka thënë se Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, nuk i ka pëlqyer shumë platforma e Kosovës për dialog.
Ai ka thënë se në Bruksel kur është dorëzuar platforma kanë menduar se po mbyllen rrugët për dialogun.
“Jemi takuar njëherë me Mogherinin e ekipin ndërmjetësues në Bruksel. Ideja ishte për temat që duhet të fliten në dialog. Ata s’reagojnë, thonë në rregull. Ne kemi kërkuar pagesën e reparacioneve për krimet e luftës, kërkesën për pensionet, të ndahen asetet si borxhet dhe kërkimfalje dhe reparacionet për viktimat e dhunës seksuale. Kemi dërguar personalisht platformën. S’kanë qenë të kënaqur me platformën sepse kanë menduar se i kemi mbyllur rrugët për dialog, por u kemi thënë se ky është qëndrimi jonë”, ka deklaruar Ahmeti në Interaktiv të KTV-së.
Ahmeti po ashtu ka thënë se ka kërkuar personalisht nga Mogherini dhe zëdhënësja Maja Kocijançiq që ftesat të vijnë te Ekipi Negociator i Kosovës pa caktuar kush duhet të shkojë në dialog. Ai ka thënë se do të takohen me këdo që e cakton Serbia.
“I takon Serbisë të caktojë ekipin negociator. Do të takojmë Vuçiqin nëse ai vjen. Ftesat vijnë te ekipi shtetëror. Nëse e ftojnë edhe presidentin, ftesa vjen tek ne e ne ia dërgojmë atij ftesën. Ekipi shtetëror sipas ligjit për dialogun, është kryesori për negociatat. Në takimin e parë ua kemi bërë të qartë, ishin të gjithë. U kam thënë personalisht mirë që është Kocijançiq këtu e të mos bëni deklarata se presidentët duhet të vijnë sepse s’u takon të na caktoni kush dialogun. A i konvenon asaj të kenë Thaçin e Vuçiqin sepse kanë histori të takimeve e u duket më lehtë s’është punë e jona”, ka shtuar Ahmeti.
Lexoni edhe:
Ahmeti sqaron pse tha se nëse ndal ndërtimet ose “do të burgoset ose do të vritet”
Ai ka folur për punësimet në administratën e ekipit që udhëheq. Ka thënë se kanë marrë edhe ekspertë ndërkombëtarë e u duhet edhe administratë. Ka shtuar se kur të nisin negociatat do të ketë të punësuar më shumë sepse “duhet të na ndihmojnë”.
Edhe
Akuza se çështja e viktimave të dhunës seksuale u përfshi me vonesë në Platformën e dialogut
Për dokumentin që kanë kërkuar nga presidenti lidhur me dialogun e mëhershëm deri kur u bë ekipi negociator, Ahmeti ka thënë se “presidenti dorëzoi një dokumentacion shtatëfaqësh me ‘tha ky, tha ai’”.
Lexoni edhe:
Ahmeti: PSD-së nuk i konvenojnë zgjedhjet, por qeverinë duhet ta rrëzojmë
Ahmeti ka thënë se nga BE-ja i është thënë se s’ka asgjë të vërtetë në raportimet se ka një draft-marrëveshje.
Në fund, ka thënë se më shumë ka gjasa mos të ketë marrëveshje Kosovë – Serbi sesa që të ketë. Kjo sipas tij, për shkak të mospajtimeve mes partnerëve ndërkombëtarë.