Ahmeti: Paga minimale në Kosovë, mosrespekt për punëtorin

Ahmeti: PSD-së nuk i konvenojnë zgjedhjet, por qeverinë duhet ta rrëzojmë

13 May 2019 23:56
00:22

Kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka pranuar hapur se partisë së tij nuk i konvenojnë zgjedhjet e parakohshme.

“Neve nuk na konvenojnë sepse na duhet edhe pak kohë. Nuk mund të gënjej tash e të them se na konvenojnë zgjedhjet. Por nuk do ta linim Kosovën keq për këtë”, ka thënë Ahmeti në Interaktiv të KTV-së, teksa ka folur se as partive të tjera nuk u konvenojnë ato.

“LDK-së nuk i konvenojnë zgjedhjet sepse është në zgjedhjet të brendshme. PDK-së nuk i konvenojnë zgjedhjet sepse është në rënie të vazhdueshme. Nisma ka një kuotë të qëndrueshme të votuesve, por e shoh se ata duan të mbesin në pushtet. AAK-ja është në rritje por nuk e di nëse do zgjedhje”, ka thënë Ahmeti.


Lexoni edhe: 

Ahmeti thotë se platforma s’i pëlqeu Mogherinit, “i thash ftesat t’i dërgohen Kosovës pa emër”


I pyetur se a do të bëjë koalicion parazgjedhor me AAK-në e Ramush Haradinajt, Ahmeti ka thënë se “nuk beson”.

“Nuk mund të them se kemi një vijë të kuqe. Vijë e kuqe është vetëm për PDK-në, sepse mendojmë se është më mirë edhe për Kosovën edhe për PDK-në që të shkojë në opozitë. Me të tjerat mund të diskutojmë. Edhe me LDK-në, edhe me Nismën edhe me AAK-në, e nuk e di a pajtohen të gjithë në PSD, por për mua edhe me Vetëvendosjen”, ka thënë ai, përcjell Koha.net.

Ahmeti ka thënë se nuk ka pasur asnjë qeveri që i ka ndihmuar Prishtinës më shumë se sa kjo e Haradinajt.

“Ligji i Prishtinës është sjell nëpër sirtar për disa vite, kjo Qeveri e ka miratuar. Buxheti na është rritur, Pallati i Rinisë na është kthyer. Pra nëse do të vepronim në rrafshin personal partiak do të thosha në rregull. Por jo, nuk mund të pajtohem me 53 milionët për Bechtel Enkan, për pagën minimale, për gjithë ata zëvendësministra”, ka thënë Ahmeti.

Por është përgjigjur me “opozitë natyrisht”, kur është pyetur se në cilën anë është partia e tij me 12 deputetë në Kuvend.

“Duhet me dallu interesin shtetëror, prej interesit partiak. Për shtetin do të punojmë gjithherë. Se kur po vjen puna me i vendos do njerëz nëpër borde LDK-ja voton, ka ardh në Kuvend. Kur kemi të bëjmë me Serbinë duhet të kemi koordinim mes veti. A mendoj se kjo Qeveri duhet me shku – dje”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se Qeveria nuk do të binte nëse nuk do të miratohej Buxheti. Ka parashikuar një skenar të mundshëm.

“Lista Serbe kish ardh, sepse unë mendoj se këta kishin negocu me të, dhe kishin vendos kushte. A më mirë të pranohen kushtet e Listës Serbe, apo të PSD-së. Haradinaj më ka thënë se shumë të vështira janë këto kushte, me këto më përpara shkoj në zgjedhje. Unë i kam thënë, shkojmë në zgjedhje. Ligjin për Paga tha nuk kemi mundësi me kry në dhjetor dhe po na duhet buxheti. I thash jo. Edhe për Rikallon. Unë e kuptoj që ka mundur të jetë e vështirë për të, por i kam treguar që kjo nuk është kundër serbëve, por është e drejtuar ndaj një ministri që nuk ka menaxhuar si duhet me fondet publike dhe për shkak të të kaluarës së tij”, ka thënë ai.


Lexoni edhe: 

Ahmeti sqaron pse tha se nëse ndal ndërtimet ose “do të burgoset ose do të vritet”


Ahmeti ka thënë se 12 nënshkrimet e deputetëve të PSD-së, për rrëzimin e Qeverisë janë ende aty.

“Ne nuk kemi marrë asnjë mesazh as nga LDK-ja as nga VV-ja për të bërë një strategji se si ta rrëzojmë Qeverinë. Na duhen edhe 4 deputetë. Mustafa tha po punojmë me VV-në dhe PSD-në ta rrëzojmë qeverinë. Unë nuk po e di që po punojnë me PSD-në”, ka thënë Ahmeti.

“Ne ia hoqëm monopolin e dialogut Hashim Thaçit, këta atë ligj e quan në Kushtetuese. Asnjë vërejtje në aspektin substancial nuk e kemi. Pse a mendoni se unë kam dëshirë që të jem bashkëdrejtues i Ekipit a? Jo. I kemi thënë LDK-së eja merre kryesimin”, ka thënë Ahmeti. “Ne nuk e kemi asnjë post, nuk pajtohemi me 90 për qind të politikave të kësaj Qeverie. Por për çka je zgjedh deputet? Për t’i marrë ato 2 mijë euro pagë”, ka thënë më tej ai.

Kur ka folur për bashkëpunimin me Vetëvendosjen e Albin Kurtit, ai ka thënë se nuk është i bien pishman për asgjë që kanë bërë në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Jam i vetëdijshëm për zhgënjimin që ka shkaktuar ndarja. Po kjo nuk do të thotë që nuk mundemi me bashkëpunu”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka thënë se nuk i beson LDK-së se nuk do të bëjë sërish koalicion me PDK-në.

I vetmi problem që e shoh është se një tentim i pasuksesshëm i jep siguri ehde 6 muaj kësaj qeverie.

23:56

Ahmeti: Paga minimale në Kosovë, mosrespekt për punëtorin

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka thënë se paga minimale në Kosovë, në sektorin privat, është mosrespekt për punëtorin.

Ai ka thënë se partia që ai udhëheq ka ftuar debat me partitë tjera në Kosovë që të ngritët paga minimale në koeficientin një edhe në sektorin privat e të mos jetë më e ulët.

Ahmeti në Interaktiv të KTV-së ka thënë se në Prishtinë, komunën që ai e udhëheq, nuk ka lejuar asnjë kontratë ku punëtorët paguhen më pak se 230 euro.

“Këtë javë kemi ftuar debat për pagën minimale që të arrijmë në koeficient 1 edhe për sektorin privat. Sot edhe në kontrata të shtetit ka sigurim që ruajnë ndonjë institucion me paga 140 apo 170. Në supermarkete janë 180. Në KEK ka pagë 140 euro e po kërkojmë rritjen në 240 euro. Në komunën e Prishtinës në asnjë kontratë të punës s’kemi lejuar të jetë më pak se 230 e sa ishte. Ka pas ankesa, por jemi mbrojtur dhe kemi thënë se është e barabartë për të gjithë”, ka thënë ai.

Ahmeti ka shtuar se edhe pika e Ligjit për pagën minimale që ndërlidhet me pensionin e veteranëve të luftës mund të adresohet. Sipas tij, kjo në veçanti pas debatit për listat e rreme. Ka thënë se në Kosovë s’duhet të ketë skema të tilla pensionale.

“S’e kuptoj si mendon dikush se dikush mund të jetojë me 130 euro. Kur dikush punon më shumë se 8 orë në ditë e t’ia japësh 160 apo 180 është mosrespekt për punën e nuk mendoj se do ta rrisë koston shumë ndryshimi nëse bëhet siç duhet”, ka thënë ai.

Ahmeti ka thënë se do të përmbushë 100 premtimet që kishte dhënë në fushatë për mandatin e dytë në kryeqytet. Ai ka thënë se është krenar me partinë e tij, PSD, që më 9 maj mbushi një vit të riorganizimit. Ka thënë se po punojnë të jenë prezentë në çdo komunë.

Për financimin e partisë së tij, Ahmeti ka thënë se gjithçka ka qenë transparente. Ka përsëritur kërkesën për ndryshim të ligjit për partitë politike.

“Kemi kontribute të individëve. Çdo gjë e kemi transparente. Është e publikuar çdo raport financiar. S’kemi shumë shpenzime. Deputetët japin një pjesë të pagës. Po kërkojmë edhe ndryshimin e ligjit për partitë politike e të marrim atë që na takon me 12 deputetë. Çdo vit ndahet një buxhet e po kërkojmë të ndahet sipas madhësisë së grupeve parlamentare. Kështu po kërkojmë ne. Mundet edhe me u rritë buxheti nëse ka aso probleme. Për ne do të ishte tejet e rëndësishme që të mos varemi nga donacionet e mëdha nga ndokush”, ka deklaruar më tej Ahmeti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme