Kreu i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, njëherësh edhe kryetar i Prishtinës, ka theksuar faktin se paga Minimale në Kosovë është 130 euro për punëtorët nën 35, dhe 170 euro për ata mbi 35.
“Pra, në qoftë se ke fat me gjet punë, punëdhënësi mundet me të pagu 130 euro (edhe në kontrata publike) për punë që shpesh kalon 6 ditë e 40 orë në javë. Për që është minimale pajtohemi, por kjo pagë nuk mund të quhet. E as asistencë sociale nuk është sepse qytetari punon për këtë pagesë”, ka thënë Ahmeti.
“Këto tema janë të rëndësisë jetike për qytetarët e Kosovës e nuk trajtohen fare në agjendën tonë publike. Të luftojmë për jetë, punë e pagesë të dinjitetshme”, ka thënë ai.
Kujtojmë se paga e Ahmetit, në krye të Komunës së Prishtinës, sipas propozimit në Ligjin për Paga që pritet të miratohet në kuadër të reformës në administratën publike do të jetë 1673 euro.
